Dje prokurorët e çështjes Fazlliç kanë firmosur shfuqizimin e sekuestros së llogarive bankare të kompanive në pronësi të kunatit të ministrit Basha, zoti Erion Isufi dhe të kompanisë së zotit Dionis Teqja. 

Kjo sekuestro u vu një javë më parë nga prokuroria e Tiranës, me argumentin se në to ishte aksioner dhe Damir Fazlliç.

Në vendimin e djeshëm të njëjtët prokurorë deklarojnë se “Nga shqyrtimi i provave të administruara nuk rezultojnë marrëdhënie tregtare ndërmjet shoqërive “Global Construction” sh.a dhe “Reno Albania” sh.p.k dhe shoqërive të krijuara nga i hetuari Damir Fazlliç.”

Vendimi i djeshëm i prokurorisë për shfuqizimin e vendimit të tyre, provoi se sekuestron ndaj llogarive të këtyre kompanive ishte vënë pa patur asnjë provë në dosjen hetimore, por duke iu referuar vetëm akuzave në disa gazeta.

Për më se 1 javë këtyre kompanive iu bllokua tërësisht aktiviteti, duke rrezikuar falimentimin e tyre, që siç rezulton edhe vetë nga vendimi i prokurorisë ishte një sekuestro e padrejtë dhe e nxitur politikisht.

Prokuroria në këtë vendim pranon skandalin e saj, por nuk shprehet për zhdëmtimin e dëmit të madh ekonomik, që i shkaktoi këtyre kompanive nga bllokimi i pa drejtë i aktivitetit, vetëm se ato ishin të kunatit të ministrit Basha.

Ndërkohë këto kompani i janë drejtuar dhe gjykatës për ligjshmërinë e urdhrit të prokurorisë, që çoi në bllokimin e aktivitetit të tyre për më shumë se 1 javë./tvklan.al