Opozita proteston mbrëmjen e kësaj të enjteje para Kryeministrisë. E me qëllim garantimin e sigurisë, Policia e Tiranës njofton masat e marra prej saj. Kështu, duke nisur nga ora 18:00 do të ketë ndalim të qarkullimit në disa rrugë të kryeqytetit.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, më datë 11.07.2024, në orën 20:00, përpara Kryeministrisë. Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga sot, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova””, thuhet në një njoftim të Policisë së Tiranës.

Autoritetet policore kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Policia kërkon nga organizatorët e qytetarët që do të marrin pjesë në protestë që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe për të marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në perputhje me Kushtetutën dhe legjislancionin në fuqi”.

“Në këtë kuadër, Policia e Tiranës bën thirrje për të gjithë pjesëmarrësit në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave apo vetë pjesëmarrësve”.

Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi”, thotë më tej policia e Tiranës.

Në një mesazh drejtuar strukturave, pak ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se protesta e 11 Korrikut duhet të jetë protesta më e madhe, me çdo kusht. Ai u kërkoi strukturave mobilizim të plotë për të garantuar pjesëmarrje masive të demokratëve dhe qytetarëve të tjerë që janë kundër qeverisë Rama.

Ndërkohë, gazetari Besar Bajraktaraj sjell më shumë detaje sa i takon masave të marra nga Policia e Shtetit për këtë protestë. Sipas tij, në gatishmëri do të jenë mbi 1.000 forca policie, përfshirë të gjitha Komisariatet e Tiranës, Forcat Shqiponja dhe ato të Forcave të Sigurisë Kombëtare. Këta të fundit do të qëndrojnë pas Piramidës.

Në gatishmëri do të jenë edhe autobotët me ujë, në rast se do të ketë përshkallëzim të dhunës që do të përdoren për të shpërndarë protestuesit.

Ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe ai i Tiranës Tonin Vocaj kanë mbledhur të gjithë shefat e Komisariateve të Tiranës për të analizuar planin e mbarëvajtjes së protestës. Efektivët kanë shpërndarë në grupet e tyre të brendshme fotot dhe të dhënat e personave të shoqëruar më herët për hedhje molotovi, në mënyrë që të shoqërohen sërish nëse kapen me sende plasëse me vete.

Leja e kërkuar për zhvillimin e protestës nga ana e opozitës është kërkuar 4 orë, nga ora 20:00 deri në mesnatë./tvklan.al