Projekt-raporti i komisionit evropian për progresin e bërë nga vendet e Ballkanit vlerëson paraprakisht ecurinë e Shqipërisë duke e renditur atë në vija të përgjithshme pas Kroacisë dhe Maqedonisë.

Përshëndet konsensusi politik për reformat kyçe të integrimit, reformën zgjedhore, ngritja e strukturave të qeverisë për përmbushjen e angazhimeve në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, por kërkohet përgatitja në kohë e strukturës për zgjedhjet e përgjithshme 2009, të tilla që të dëshmojnë për pjekurinë demokratike të vendit, si dhe luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës e qenieve njerëzore dhe korrupsionit.

Kërkohet transparencë për fondet e partive politike, shërbim civil efikas dhe strategji për të reformuar sistemin gjyqësor.

Dokumenti paraprak, i cili pritet të pësojë ndryshime në mbledhjen e kolegjit të komisionit në 3 Nëntor për t’u bërë publik dy ditë më pas, përmend dhe tragjedinë e Gërdecit ku sugjeron se është i nevojshëm hetimi i ngjarjes, ndërkohë pjesa ekonomike vlerësohet më pozitive, veçanërisht kompjuterizimi i mbledhjes së taksave dhe tatimeve si dhe lufta ndaj korrupsionit në këtë pjesë ka qenë më efikase.

Arta Tozaj: Në prezantimin e parë të projekt-raportit vlerësohet se Shqipëria vazhdon të shënojë progres për reformat politike kyçe, ndërkohë që marrëveshja e ndërmjetme me Bashkimin Evropian po zbatohet pa vështirësi. Sfida kryesore për Shqipërinë është forcimi i shtetit ligjor, institucioneve shtetërore si dhe kapaciteteve administrative, ndërkohë që Serbia e cila ka gëzuar një pozicion të privilegjuar në sytë e komunitetit evropian deri më sot ka pësuar një rënie të lehtë të imazhit pasi është i vetmi vend ku komisioni evropian thekson qartë që në paragrafët e para se sistemi gjyqësor dhe korrupsioni janë në nivele kritike.

Për shtetin e ri të Kosovës komisioni vlerëson se kushtetuta e miratuar nga kuvendi është brenda standardeve, por sfidë mbetet forcimi i institucioneve, vendosja e shtetit ligjor dhe rritja e dialogut mes komuniteteve etnike.

Për Maqedoninë komisioni evropian nuk rekomandon çeljen e negociatave për anëtarësim pasi nuk përmbush kriterin politik bazuar në parregullsitë e mëdha zgjedhore.

Me Kroacinë negociatat për anëtarësim hyjnë në fazën vendimtare, ndërkohë që Mali i Zi duhet të reformojë sistemin gjyqësor për përmirësim të kapaciteteve administrative dhe vendosjen e shtetit të së drejtës.

Komisioni evropian nënvizon se në Bosnje-Hercegovinë reformat që lidhen me integrimin kanë mbetur në vend prej disa muajsh.

Arta Tozaj: Progres-raporti është në fakt strategjia e Bashkimit Evropian për politikën e zgjerimit. Është dokumenti që komisioni evropian ua paraqet vendeve anëtare dhe përmban të dhëna mbi vitin 2008 dhe sesi mund të përshpejtohej procesi i integrimit për rajonin. Për vendet aspiruese siç është dhe Shqipëria komisioni evropian na sugjeron se këto vende mund të aplikojnë për statusin kandidat në momentin që tregojnë gatishmëri për këtë hap. Për TV Klan, Arta Tozaj, Bruksel./tvklan.al