Lajme Arkiva 2003

Edhe një natë tjetër e vështirë për 12 punonjësit e Fabrikës së Tullave në Vorë të cilët prej një jave kanë hyrë në grevë urie në një kioskë pranë kësaj fabrike. Tre nga grevistët e shtruar në urgjencën e Vorës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore u rikthyen në vendin e tyre të bindur për t’u vetëflijuar nëse nuk u paguhet rroga e dy muajve dhe nëse nuk u plotësohen kërkesat e tjera.

Gazetarja: Si ndiheni tani pasi jeni kthyer nga spitali?

Punëtor: Kur u kthyem nga spitali kam debulesë prapë, por siç isha mbrëmë edhe sot në mëngjes nuk jam.

Punëtor: Na kanë thënë se nesër me datë 26 do të merrni lekët, po se ça lekësh ne nuk e dimë. Ai tha jju që jeni të grevës, po ne të grevës jemi të tërë nuk jemi vetëm ne që jemi në grevë urie, u bënë 6 ditë. Dje nga ora 2 e natës kam qenë me temperaturë. Sot në mëngjes më morën shokët me fugonin e policisë dhe më çuan me ambulancën e Vorës. Aty mjekët na thanë se nuk jemi më për grevë.

Gazetarja: Ju jeni i vendosur që ta vazhdoni grevën?

Punëtor: Deri në vdekje. Unë jam kryefamiljar po s’ndihmova unë i bie të lypim, jemi katër persona.

Grevistët nuk pranojnë të takohen me pronarin fabrikës. Me ta janë solidarizuar të gjithë punonjësit e tjerë duke braktisur punën dhe një pjesë e tyre duke e kaluar natën pranë kioskës. Tashmë ajo ka vizitorët më të shpeshtë të afërmit e grevistëve dhe mjekët që kujdesen për shëndetin e tyre.

Punëtor: Vetëm nga zyra e punës kemi pasur negociata por ne nuk jemi dakord me ato pika që na janë ofruar sepse nuk janë 80 punonjës si ka thënë presidenti i firmës, por janë 340 punëtorë.

Punëtor: Kam edhe babin aty kemi 4 muaj pa marrë lekë, dy muaj ai dy muaj unë kemi punuar te tullat, këta nuk na kanë dhënë asnjëlloj përgjigje. Puna në fabrikën e tullave në Vorë është ndërprerë plotësisht. Grevistët janë të vendosur të mos kthehen atje deri në shlyerjen e detyrimeve nga pronari për të 350 punonjësit e saj./tvklan.al