135 mijë punonjës të sektorëve të arsimit, shëndetësor, policia, forcave të armatosura dhe punonjës të administratës publike, nga 1 Korriku do të përfitojnë rritjen e premtuar të pagave. Kjo shtesë e pagave do t’i rëndojë buxhetit të shtetit 40 miliardë lekë dhe do të jenë në nivele të ndryshme për sektorë të ndryshëm.

Në rastin e forcave të armatosura rritja do të ndryshojë në varësi të gradës, ku shtesën më të madhe prej 29 mijë lekësh do ta përfitojnë ushtarët e nivelit 4. Arsye më shumë kjo sipas ministrit të Mbrojtjes që të rinjtë t’i bashkohen forcave të armatosura.

Në shëndetësi rritja do të jetë e unifikuar 20 mijë lekë për mjekët dhe 15 mijë për infermierët dhe do të përfitojnë 20 mijë bluza të bardha. Ndërkohë që në arsim rritja do të ndryshojë në varësi të vjetërisë së punës dhe nivelit arsimor ku ushtrohet profesioni i mësuesit.

Pagat e zjarrfikësve do të rritën më 30 përqind, ndërkohë që do të përfitojnë rritje dhe 1400 punonjës të Gardës së Republikës, pagë që do të ndryshojë në varësi të gradave të tyre. 228 truproja dhe shoferë të personaliteteve shtetërore do të paguhen 10 mijë deri 12.5 mijë lekë më tepër nga 1 korriku.

Punonjësit e burgjeve gjithashtu do të përfitojnë nga rritja e pagave në varësi të gradave sikurse dhe punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Në buxhetit për shtesat e pagave është parashikuar një zë dhe për pagat e zëvëndësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhë nëpunësve në disa institucione te administratës publike. Duke nisur nga 1 korriku, paga mesatare në administratën publike sipas Ministrisë së Financave, do të jetë 105 mijë lekë.

Tv Klan