Rafael Nadal, një nga tenistët më të mirë të të gjitha kohërave, do të ketë shumë shpejt degën e akademisë së tij dhe në Durrës.

Kompleksi Sportiv do të zbatojë metodologjinë e trajnimit të Akademisë Rafa Nadal by Movistar dhe do të jenë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Wellness, një pishinë dhe një zonë restoranti.

Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj.

Për të firmosur marrëveshjen me yllin spanjoll të tenisit, Kryeministri, ministrja e Arsimit dhe kryebashkiakja e Durrësit fluturuan për në Spanjë ditën e djeshme.

Rama lajmëron se ky kompleks do të pozicionohet pranë qendrës së re të futbollit të Manchester City dhe shpreh sigurinë se veç aftësive sportive, të rinjtë që do të bëhen pjesë do arrijnë të marrin dhe modelin e një kampioni që mbi të gjitha është njeri i madh.

“Nga larg, gjithmonë kam pasur përshtypjen se Rafa ishte një njeri i madh, por tani kam edhe më shumë admirim për modestinë e tij dhe mënyrën se si ai i qaset jetës. Mendoj se vlera e kësaj qendre do të qëndrojë jo vetëm në të mësuarit e tenisit apo sporteve të tjera, por edhe në të ndihmuarit e fëmijëve dhe të rinjve për të kuptuar se sa e rëndësishme është të jesh një profesionist dhe një person i mirë”.

Modestinë, fituesi i 92 trofeve e tregoi dhe kur foli me entuziazëm për projektin e kompleksit në Durrës.

“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë ndërtimin dhe hapjen e një qendre në Shqipëri.  Projekti është i jashtëzakonshëm dhe ne na pëlqeu vizioni i vendit për promovimin e sportit dhe vlerave të tij. Jam i sigurt se do të ketë sukses”.

Qendrat Sportive Rafa Nadal janë një linjë e re të frymëzuara nga Akademia Rafa Nadal te cilat zakonisht vendosen pranë kompleksesh pushimi të klasit të parë.

Tenisi vitet e fundit është kthyer në një nga zgjedhjet e para të fëmijëve që ndjekin aktivitete sportive.

Tv Klan