Njësoj sikur ditën e shpalljes së Pavarësisë me 17 shkurt, edhe sot Prishtina është veshur me flamujt kuq e zi. Institucionet publike nuk kanë punuar derisa qytetarët kanë veshtuar në shëtitoren “Nënë Tereza”. Liderët politik dhe institucional kanë uruar qytetarët për festën e flamurit, duke potencuar se 28 nëntori i sivjetëm ka një rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë festohet në Kosovën e pavarur.

Festën e Flamurit edhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, ka zgjedhur ta festoj në Prishtinë. Ai ka takuar krerët institucional të Kosovës dhe ka bërë homazhe në memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari. Përveç urimeve për festën e madhe kombëtare, lideri i opozitës shqiptare dhe udhëheqësit politik të Kosovës kanë folur edhe për tendencat e fundit për ndarjen e Kosovës si dhe vendosjen e EULEX-it.

Edi Rama: “Rikujtoj se Kosova nuk u pavarësua për t’u ndarë, po për t’u bashkuar në familjen europiane ku aspirojmë të gjendemi së bashku pa kufi të gjithë ne shqiptarë e shqiptare që sot jetojmë në territore të ndryshme”.

Fatmir Sejdiu: “Për ne u bë shumë me rëndësi që EULEX-i të vendoset sa më shpejt, të vendoset në mandatin që e ka mbi bazë dokumentacionet të trajtuar thellë në periudhat e hershme dhe të asaj që ne e kemi prezantuar në qëndrimin tonë”.

Hashim Thaçi: “Qëndrimi i institucionit të republikës së Kosovës, është shumë e qartë mbështetje dhe bashkëpunim të plotë e EULEX-it dhe një jo shtetërore dhe 2 milionëshe nga Kosova për 6 pikëshin”./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki