Në përfundim të turit “Dialog me Shqipërinë”, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është bërë pjesë e një tjetër forumi që ka në fokus bashkëbisedimin me qytetarët. Kreu socialist është ftuar që të marrë pjesë në ngritjen e bordit të “Dialogut me Shoqërinë”në qytetin e Vlorës. Në këtë takim Rama theksoi se angazhimi i qytetarëve në politikë-bërje do t’i bëjë ata pjesë të rëndësishme të vendimmarrjes.

Edi Rama: “Politika kur mbetet vetëm një ushtrim i politikanëve është detyrimisht një trysni shpesh herë e padurueshme për qytetarët, por këtë nuk mund ta zgjidhin politikanët në rast se nuk duan ta zgjidhin qytetarët, të cilët duhet të angazhohen pa qenë domosdoshmërish të detyruar të bëhen politikanë apo të bëhen anëtarë partie.”

Duke e konsideruar bordin e “Dialogut me Shoqërinë” si një urë lidhëse midis partisë dhe njerëzve Rama ka theksuar nevojën e afrimit sipas tij të Shqipërisë reale me atë në letër.

Edi Rama: “Ju keni ura ku shkojnë dhe vijnë mendimet, ku shkojnë dhe vijnë opinionet, ku shkojnë dhe vijnë idetë dhe ku shkojnë dhe vijnë energjitë që na duhen për t’i marrë, por edhe për t’i ekzekutuar vendimet në mënyrë që Shqipëria reale të jetë shprehje e Shqipërisë në letër.”

Kryetari i Partisë Socialiste ka nënvizuar se ngritja e bordeve me qytetarët do të sjellë një raport të ri midis tyre dhe qeverisë socialiste që sipas tij do të dalë nga zgjedhjet e 2009./tvklan.alGazetare: Ornela Hila