“Lexoni aktin normativ, nuk do i gëzoni Lekët”

Ndonëse qeveria ka ndërrmarrë një akt administrativ që parashikon penalitete të ashpra ndaj tregtarëve abuzues, në tregje apo markete nuk ka të ndalur rritja e çmimeve.

Paralajmërimin për zero tolerancë ndaj kujtdo që luan me popullin në këto ditë të vështira, Kryeministri e ka përsëritur sërish për tregtarët e shumicës, duke ju kujtuar se do të trajtohen për çdo rrritje abuzimi të çmimeve si të kenë kryer një vepër penale.

“U bëj thirrje të gjithë tregtarëve të shumicës të lexojnë aktin normativ të masave speciale të luftës dhe të mos luajnë me popullin, sepse pasojat që do të bien mbi ta do të jenë shumë të rënda, e nuk kanë për t’i gëzuar lekët e abuzimeve me çmimet në këtë kohë lufte, ku s’ka haram që do iu bëhet hallall! Kush i shtrëngon shitësit e pakicës të bëjnë fatura të rreme kryen një paligjshmëri që në këtë kohë do të konsiderohet krim dhe do të trajtohet si krim”.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në Tiranë këtë të mërkurë u proceduan penalisht 4 administratorë subjektesh, të cilët kishin abuzuar me çmimet në tregun agroushqimor në Kashar nëpërmjet përpilimit të faturave fiktive.

Të gjithë tregtarët abuzues të shumicës sipas aktit normativ gjobiten me 5 milionë Lekë, ndërsa ata të pakicës nëse kapen në shkelje gjobiten me 100 mijë Lekë. Në rast të ripërsëritjes me abuzimin e rritjes së çmimeve, subjektit i mbyllet veprimtaria për 6 muaj.

Tv Klan