Shqipëria merr pjesë për herë të parë në Kampionatin Botëror të Aeroplanëve prej letre, nën kujdesin dhe organizimin e kompanisë Red Bull.  Pasioni i lindur  për të luajtur me letra në shkollë do të shndërrohet në një garë sportive me Red Bull Paper Wings.  Kampionati  Botëror  ka si protagonistë studentë nga të gjitha vendet e botës.

Mjafton një fletë letre, shumë ide, krahë të fortë e të përgatitur si dhe një dozë të shëndetshme ëndrrash me sy hapur dhe mund të jesh një nga ata, emrat e të cilëve do të zënë vend në historinë sportive. Në Shqipëri, kjo loje ka kaluar në 6 faza ku shumë studentë kanë konkurruar në disa prej disiplinave të vendosura. Pasditja e të enjtes ka përmbyllur finalen e këtij kampionati. Faza finale është zhvilluar në kryeqytet nën një atmosfere festive dhe në përfundim janë shpallur edhe 3 fitues.

Aktiviteti që dikur praktikohej në Kinën e lashtë për të kaluar kohën, këtë vit është zhvilluar edhe në mjaft vende të tjera te botës. Tre fituesit e secilës disiplinë në Finalen Kombëtare do të marrin pjesë në Finalen Botërore që do të zhvillohet më 1 dhe 2 maj në Austri, ku marrin pjese konkurrente nga e mbarë bota./tvklan.al

Gazetare: Eriona Rafti