INSTAT: Tejkalohet me 16% vitit 2019, vetëm në Gusht kanë hyrë 1.7 milionë  turistë të huaj

Vitit 2022 është viti më i mirë për turizmin në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë periudhës 8-mujore të këtij vitit  kanë hyrë në vend rreth 5.7 milionë shtetas të huaj. Ky është numri më i lartë i hyrjeve i regjistruar ndonjëherë në vend për 8-mujorin. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, hyrjet e shtetasve të huaj për 8-mujorin janë rritur me 29.3%. Edhe në raport me 2019-n, që ishte viti më i mirë turistik deri tani, para se të ndërpritej nga pandemia, vendin e kanë vizituar 16.4% më shumë shtetas të huaj, pasi në total ishin 4.8 milionë të huaj.

Sipas të dhënave të INSTAT vetëm në Gusht 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1 milion e 710 mijë të huaj. Ky numër është rritur me 11,2 %, krahasuar me Gusht 2021, si dhe ka tejkaluar me 9.8% shifrat e turistëve në gusht të 2019 që ishin 1.5 milionë.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri për muajin gusht, kryeson Spanja, e cila ka pasur rritjen më të madhe me 3,7 herë si dhe turistët nga polonia të cilët janë dyfishuar në krahasuar me gushtin e 2021. Ndërsa për 8-mujorin, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,1 herë dhe Greqia me 2,1 herë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pasur rritjen më të ulët me 6,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Veç turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me 14,2% numri i shqiptarëve që në Gusht dolën jashtë vendit për pushime, ndërsa në periudhën 8-mujore u rrit me 34.7% numri I shqiptarëve që dolën jashtë vendit, kjo dhe për shkak të lehtësimit të masave anti-covid. 

Klan News