Rey Manaj është rikthyer në klubin e tij, Sivaspor. Sulmuesi kuqezi ka përjetuar një pritje unike në aeroprotin e Sivasit, ku me dhjetëra tifozë kishin dalë për ta përshëndetur.

Lojtari 27-vjeçar ishte protagonist në sezonin e vjetshëm për ekipin që luan në Superligën turke ku u dallua me golat e tij dhe fitoi zemrat e fansave.

Këta të fundit e pritën me këngë e brohorima Manajn.

Prania e sulmuesit është një lajm i rëndësishëm për tifozët e Sivasporit, me ekipin që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri.

Manaj e mbylli vitin futbollistik në skuadrën turke duke shënuar 18 gola në kampionat dhe 4 në kupë, Ndërsa Sivaspori u rendit në vend të shtatë.

Pavarësisht interesimit nga klubet e tjera, 27-vjeçari vendosi që të mos ndryshojë skuadër.

Vëmendja do të jetë te sulmuesi kuqezi, me klubin që synon rezultate edhe më të larta në këtë vit futbollistik. Sfida e parë e Sivasportit në kampionat do të jetë më 11 Gusht kundër Trabzonsporit.

Klan News