Një program që ka në qendër të vëmendjes njeriun, jetën njerëzore. Stafi i programit “Me Shumë Dashuri” ka qenë selektiv në përzgjedhjen e ngjarjeve dhe historive që priten të bëhen publike. Ishte publiku që vendosi me anë të letrave të shumta, dërguar në redaksi me dëshirat dhe idetë e tij origjinale që edicioni i 2-të i këtij programi të rikthehet sërish.

Alketa Vejsiu: “Jemi më të sigurt, më të pjekur profesionalisht të gjithë. Dimë se cilat janë emocionet që pëlqen audienca dhe ngjarjet janë vërtetë të pa zakonta, që natën e parë do të keni mundësinë që të shihni atë që rrallë e sheh në televizionet shqiptare. Thyerjen e një tabuje gati, gati deri diku. Faktin që njerëzit dalin dhe bëjnë televizive jetën, problematikën e të përditshmes, histori ku do të kemi përballime, ku do të kemi edhe kërkesa faljesh, ku do të kemi pajtime, surpriza dashurie, propozime live martese. Duke qenë se janë njerëzit e thjeshtë ata që do të jenë protagonist të mbrëmjeve tona. Kjo do të jetë një shtysë më tepër për publikun që të gjej veten e tij të pasqyruar në këtë program”.

Në fund të fundit le ta konsiderojmë këtë skenë si një ekran të madh kinemaje, ku do të kemi mundësinë të shohim histori të ndryshme njerëzore, dramatike dhe komike nga të gjitha ngjyrat e jetës me pak fjalë.

Alketa Vejsiu: “Janë të rinj protagonistë të historive, janë edhe njerëz mbas të 40-ve që do të thotë segmenti i publikut është shumë dimensional”.

Do të jetë një portë e madhe dashurie që do të zbulojë në dekorin e mbrëmjes së parë të shtunën mbrëma, e cila do të hapet me ankthin dhe surprizat se çdo të fshihet pas saj, histori vërtetë të pa zakonta.

Alketa Vejsiu: “Është një punë e jashtëzakonshme pa diskutim, është një program me 3 shtylla ky nga më të vështirët në të cilin unë kam punuar, por kam patur fatin që të rritem profesionalisht sepse kam shtyllën artistike, shtyllën e produksionit dhe shtyllën e zgjidhjes së historive në vetvete. Dmth është një staf i tërë kreativiteti që mendon për anën krijuese, sepse këtu në qendër është emocioni në radhë të parë, emocioni ajo për të cilën njerëzit kanë nevojë në të përditshmen e tyre dhe mbi të gjitha emocioni pozitiv pa spekuluar,  pa abuzuar me ata që për njerëzit është dhimbje, është dramë apo në të kundërt jemi bërë shtysë pozitive për të realizuar ëndrrat e atyre që nuk besonin më tek këto ëndrra”.

Konkurrenca që mbyt ekranet televizive fundjavave mbrëma, sigurisht që e ka vënë stafin e regjisores Vera Grabocka, në rritjen e cilësisë së programit. Ky është një program cilësor dhe stafi ka përzgjedhur atë çka do t’i transmetoj publikut. Trajtimi i historive njerëzore është një ndër vlerat që promovon ky program në shoqërinë shqiptare.

Njerëzit janë me mëndje më të hapur se kurrë, është thyer fanatizmi i dikurshëm, ai i rrethit të vogël fanatik ku njerëzit i mbajnë gjërat e tyre pa i bërë shembull pozitiv për të tjerët.

Alketa Vejsiu: “Do të kenë mundësinë që në këtë pasqyrë të madhe të shofin në fund fare veten e tyre, jetën e tyre, problemet e tyre, të gjejnë një zgjidhje, të shpresojnë, të jenë optimist, të buzëqeshin”.

Do të jetë pa diskutim një program i suksesshëm. Vetë stafi realizues është vënë në kërkim të cilësisë dhe të përmbajtjes duke garantuar kështu një audiencë maksimale. Rishihemi të shtunën./tvklan.al