Prej kohësh ka humbur kontaktin me kombëtaren shqiptare, por Odise Roshi dërgon të tjera sinjale për Sylvinhon. Sulmuesi 32-vjeçar i dhuron fitoren Sakaryaspor 2-0 ndaj Boluspor. Roshi asistoi dhe më pas shënoi në këtë 90 minutësh për të mbajtur gjallë shpresat e skuadrës së tij për një ngjitje të mundshme në Superligën turke në fund të sezonit.

Pas asistit të dhënë mes rrëmujës në zonë, Roshi tregoi të gjithë potencialin e tij për të shpërthyer në krahun e djathtë dhe shënuar në një mënyrë që e kemi parë shpesh prej tij. Performancë fantastike prej 32-vjeçarit vlerësuar me notën 8.5 dhe zgjedhur më i miri i sfidës. Ky ishte goli i 5-të sezonal për Roshin, i cili ka dhuruar edhe tre asiste.

Te goli u rikthyer edhe Taulant Seferi. Sulmuesi kuqezi shënoi në humbjen 3-1 që Bani Yas regjistroi në transfertën e Al Wahda. Seferi befasoi të gjithë me një goditje potente nga brenda zonës për të shënuar golin e parë për këtë vit kalendarik dhe të shtatin sezonal. Skuadra e sulmuesit shqiptar po vuan këtë sezon, pasi ka fituar vetëm dy herë në 9 javët e fundit të kampionatit, duke qëndruar në mesin e tabelës së renditjes.

Klan News