1 person ka ndërruar jetë dhe 9 të tjerë janë plagosur pasi një kabinë teleferiku me 10 persona ra nga një stacion në qytetin e Kolumbisë, Medellin. BBC News raporton se viktima quhej Jhon Jairo Londoño, 55 vjeç.

“Ka një emergjencë në sistemin “Metrocable” në zonën veriore të Medellin. Një kabinë me 10 persona është rrëzuar”, tha kryebashkiaku Fico Gutierrez.

Kreu i agjencisë së reagimit ndaj katastrofave në Medellín, Carlos Quintero, tha për mediat se një kabinë ishte ndaluar kur hyri në stacion dhe më pas u godit nga kabina që vinte më pas, e cila për pasojë u shkëput dhe përfundoi në trotuar.

Gjithashtu, dhjetra persona u raportuan të bllokuar në kabina që u ndaluan midis stacioneve. Metrocable, i inauguruar në vitin 2004, përbëhet nga 6 linja dhe 20 stacione. Menaxheri i “Metrocable”, Tomás Elejalde tha për gazetarët se aksidenti i së mërkurës ishte më i keqi që nga inaugurimi i sistemit./tvklan.al