1007 raste të reja dhe 6 viktima në 24 orë

Rastet e reja të të infektuarve me koronavirus kanë arritur një shifër rekord këtë të mërkurë në vendin tonë, pasi për herë të parë që nga nisja e pandemisë kanë rezultuar pozitive 1007 persona nga 3849 testime të kryera.

Numrin më të latë të të prekurve të rinj e mban Tirana me 289 raste, e ndjekur nga Fieri me 76 raste, Lushnja 72 dhe Durrësi me 54 të infektuar ditorë. Shifrat e infektimeve kanë prekur tashmë të gjithë qytetet ndërsa numërohen gjithsej 31 mijë e 579 raste aktive.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 6 qytetarë e kanë humbur betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit. Tre prej të cilëve janë nga Tirana, 1 nga Elbasani, 1 nga Tepelena dhe 1 nga Fieri. Ata ishin të moshave nga 49 në 92 vjeç. Me rastet e fundit shkon në 1404 numri i jetëve të humbura nga virusi që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë.

I lartë mbetet edhe numri i personave që po marrin trajtim në spitalet Covid. Aktualisht në 4 spitalet Covid, po trajtohen 404 pacientë, 21 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Fatmirësisht në 24 orët e fundit janë shëruar 581 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve afro 49 mijë.

Tv Klan