Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shefi i opozitës Sali Berisha ka vënë në pikëpyetje jetën e komisionit hetimor, që do të hetojë Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës. Dyshimet Berisha i lidh me një takim, që sipas tij, kanë zhvilluar të enjten pasdite në Durrës, kryeministri Fatos Nano dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, i cili është kërcënuar me jetë nga Nano për të ndërhyrë në çështjen e komisionit hetimor.

Sali Berisha:- Në fillim të takimit, Abdiu ka qenë refuzues. Ai i ka shpjeguar kryeministrit Nano, se nuk ekziston asnjë argument, për të deklaruar të tillë objektin e komisionit hetimor, mirëpo, zoti Nano në këtë takim, ka qenë sa kërcënues, aq edhe ulimativ dhe i ka bërë të qartë Abdiut, se në rast se nuk jep këtë vendim, dmth. në rast se gjykata nuk deklaron çështje jo të veçantë objektin hetimor, informo sipas Nanos, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, se kjo gjykatë do të suprimohet dhe se Abdiu vetë mund të përgjigjet dhe me kokë për këtë vendim”.

Lideri demokrat thotë, se pasojat e takimit, do të shihen të martën, kur pritet të publikohet vendimi i Kushtetueses, ndërsa sqaron se si mund të ndërhyjë kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu.

Sali Berisha:- “Shpall objektin e hetimit, si një çështje jo të veçantë”.

Kryetari i PD ka denoncuar edhe njëherë, përpjekjet që sipas tij po bënë kryetari i bashkisë Edi Rama për të manipuluar dosjet. Por zoti Berisha ka siguruar, se këto dosje do të bëhen shumë shpejt publike./tvklan.al