Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas takimeve zyrtare gjatë pasdites në kryesinë e Kuvendit, të kryetarit të PD Berisha me drejtues të dy partive opozitare, reformatorin Dashamir Shehi dhe alencistët Arben Imami e Preç Zogaj, procesi i unifikimit të opozitës duket se nuk ka hasur pengesa thelbësore. Të paktën në parim, ata janë dakord, që opozita duhet të bashkohet.

Zoti Shehi është më afër krijimit të një koalicioni, ndërsa aleancistët mbrojnë idenë se të larguarit duhet të rikthehen në PD.

Dashamir Shehi:- Paraprakisht është që të dalim nga skema e partive dhe të futemi në një skemë të një harku opozitar dhe jo të rifutemi edhe një herë brenda partive. Kjo është propozimi im”.

Arben Imami:- “Në qoftë se do të shkojmë drejt një partie të vetme, kjo parti e vetme do të ketë padyshim hapësira më të mëdha për fraksionet, ndërkohë që në qoftë se do të shkojmë drejt një koalicioni të ngjeshur, distanca midis partive do të jetë afërsisht po ajo”.

Preç Zogaj:- “Çështja e formulës është një çështje e hapur, personalisht gjithnjë kam menduar dhe mendoj, se rithemelimi i PD, pra shkrirja e gjithë faktorëve që kanë dalë nga kjo parti është zgjidhja më e mirë, por kjo nuk do të thotë se s’ka zgjidhje të tjera që konkurrojnë me këtë opsion”.

Vetë zoti Berisha është optimist dhe ka lajmëruar mbledhjen e një tryeze të përbashkët të partive opozitare.

Sali Berisha:- Të instalohet sa më shpejtë, për disa probleme që nuk presin, një tryezë e partive opozitare, për disa probleme madhore që janë shumë aktuale në rendin e ditës”.

Javën e ardhshme pritet edhe takimi Berisha-Pollo, ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, sot kryetar i Partisë Demokrate.

Genc Pollo:- “Unë nuk besoj që do duhet quajtur një refuzim, letra ime ka qenë një sugjerim, se si mund të shkojnë mirë dhe frytshëm negociatat, por për këtë çështje unë preferojë komunikimin në kanalet zyrtare dhe jo avenytë mediatike”.

Për të reflektuar bashkëpunimin mes tyre, partitë opozitare pritet të mbajnë edhe qëndrime të përbashkëta me fillimin e punimeve të Parlamentit, veçanërisht për reformën zgjedhore, ligjin e pronave dhe përkrahjen ndaj ish-të persekutuarëve politik./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço