Skandali i mjekëve të Onkologjikut ka nxitur qeverinë per të amenduar ligjin e Urdhërit të Mjekut dhe ashpërsuar sanksionet për bluzat e bardha që do të rezultojnë në shkelje.

Sipas këtyre ndryshimeve, që do të nisin të zbatohen kur spitalet të marrin autonominë mjeket nuk do mund te punojnë dot pa autorizimin e drejtorit të spitalit dhe ministrisë dhe në shërbimin shëndetësor publik dhe atë privat, ndërsa shefat e pavionëve ose çdo nivel tjetër drejtuesish në sistemin publik nuk do mund të jenë të tillë nëse kanë klinikë private ose punojnë në një të tillë. Në ligj do ashpërsohen dhe sanksionet për shkelësit.

Albana Koçiu: Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojne në klinika private, si edhe ata qe do te duan ta bejne këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar. Mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë ASNJË FUNKSION drejtuese të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë. Dërgimi i pacientëve në klinikën private nga mjeku përgjegjës për ta në shërbimin publik, do të dënohet me gjoba domethënëse për mjekun dhe për klinikën private që vetë mjeku ka hapur apo punonindividëve që njollosin institucionin, duke shkelur çdo normë e parim jo thjesht profesional, po edhe human, përveç ndëshkimit të merituar nga drejtësia do t’u ndalohet ta veshin bluzën e bardhë për gjithë jetën.  

Edi Rama: Grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për ti shpërblyer profesionistët sipas meritës.

Kryeministri me ministren e shëndetësisë organizuan një takim me mjekë dhe infermierë të QSUT për të bërë prezantimin e këtyre ndryshimeve, por dhe për të mbajtur qëndrim ndaj këtij skandali që Rama e cilësoi si krim ndaj njerëzimit.

Të kesh marrë diplomën dhe licencën e ushtrimit të këtij profesioni dhe ta përdorësh uniformën më simbolike dhe më delikate të shoqërisë dhe të shtetit, njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave, për të nxjerrë para me gjakun dhe ilaçet e të sëmurëve është krim, jo thjesht kundër tyre, por kundër të gjithë njerëzimit. Nuk mund të thuhet dot se sistemi shëndetësor është çliruar nga kthetrat e korrupsionit dhe që të jemi të qartë, rrjeta e merimangave të Onkologjikut ishte edhe më zi sesa korrupsioni i marrjes së parave përkundër shërbimit. Ishte, e përsëris, krim kundër të gjithë njerëzimit, krim kundër njerëzores.”

Rama e sheh si të justifikueshme neverinë dhe revoltën që ka ngjallur në publik kjo ngjarje për vetë bluzat e bardha, përfshirë dhe kërkesën për dorëheqje të ministres edhe pse thotë se ka nga ata që këto situata i shfrytëzojnë për të hedhur baltë mbi qeverinë.

“E mirëkuptueshme në dhimbjen e vet edhe klithma për pushkatim e cila shfaqej tek tuk dhe jam i bindur që e keni vënë re dhe ju në rrjetet sociale, pavarësisht se lavdi zotit nuk jetojmë  më në kohën e pushkatimeve, normale që në këtë dhimbje krejt njerëzore për viktimat e atij abuzimi monstruoz edhe kërkesa e përsëritur në rreshtat e komenteve për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë. Të zakonshme pastaj ato akuzat dhe sajesat e bashkangjitura me to nga ana e atyre që në shpirtin katran dhe në mendjen sahan i gëzohen këtyre rasteve për atë lojën e përditshme me nervat e njerëzve që me këtë rast mund ta ngrenë në kulme të reja duke arritur edhe në atë fabrikimin kriminal  të historisë së kobaltit. Ajo është kriminale, krim më vete.”

Ju kujton mjekëve që janë dhe duhet të sillen si shërbëtorë të pacientëve të tyre, pasi paguhen me taksat e këtyre të fundit. Me taksat e te cilëve, Rama thotë se qeveria e tij ka bërë investimet transformuese të sistemit shëndetësor në 11 vite.

Ju sot shiheni jo si shërbëtor që duhen nderuar sipas meje, por si një kategori e tërë e dyshuar nga një popull i lënduar në shpirt prej sjelljes kriminale të atyre individëve Në momentin kur ata hyjnë këtu janë familjarët tuaj, ju jeni shërbëtorët e tyre, ndërsa pastaj kush shfaqet si ata torturuesit e pashpirt të Onkologjikut nuk meriton vetëm ndëshkimin pa tolerancë të drejtësisë, po meriton ndëshkimin pa mëshirë të Zotit lart në qiell.”

Ajo që kërkohet nga mjekët veç shërbimit dinjitoz mjekësor është sipas kryeministrit trajtimi dinjitoz njerëzor.

“Ju sot shiheni jo si shërbëtor që duhen nderuar sipas meje, por si një kategori e tërë e dyshuar nga një popull i lënduar në shpirt prej sjelljes kriminale të atyre individëve. Patjetër që përgjegjësia e tyre është individuale, ata duhet ta mbajnë deri në fund para ligjit dhe para Zotit, dhëntë Zoti, por përgjegjësia juaj që drejtoni struktura dhe nënstruktura në këtë kompleks spitalor është të reagoni, të vigjiloni, të kujdeseni posaçërisht për funksionimin e përditshëm, të përminutshëm të strukturës apo nënstrukturës që keni në hyqëm dhe për të shtyrë çdo hap reformimin hap pas hapi të këtij institucioni  duke ushqyer pa pushim frymën e humanizmit në çdo skuadër të QSUT.”

Gjithsesi, kryeministrit i duket e padrejtë të njolloset puna e jashtëzakonshme që bëjnë çdo ditë bluzat e bardha ndaj flet me shifra për të gjitha ndërhyrjet dhe trajtimet që bëhen çdo ditë në qendrën spitalore më të madhe në vend.

Ai kërkon që rasti i Onkologjikut të hetohet deri në fund dhe personat e përfshirë në atë krim të dënohen nga gjykata dhe jo të lirohen pas marrjes së rryshfetit siç ka ndodhur dhe me kriminelë të tjerë.

Tv Klan