Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Parlamenti është përfshirë nga debate të ashpra që kanë pasur sërish në qendër komisionin hetimor anti-Rama. Lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar këtë radhë në Parlament, deputetin Spartak Braho, se ishte bërë pjesë puçit kushtetues Nano-Abdiu.

Sali Berisha:- “Gjykoj, vendimi i parlamentit dhe vetëm Mark Abdia, vetëm një gjykatës i cili, me paratë e krimit ndërton vilat e tij, vetëm ai mund të bënte një akt të tillë, të mos ftonte të paditurit”.

Servet Pëllumbi:- “Zoti Berisha, ju lutem, deklarimet nuk bëhen në emër të procedurës. Ju kërkuat fjalën për procedurë dhe për procedurë nuk po flisni”.

Sali Berisha:- “Zoti kryetar, kryesia e parlamentit është e asgjësuar. Kemi të bëjmë me asgjësimin de facto të kryesisë së Parlamentit, sepse ju nuk kishit këshilltarët tuaj aty, nuk kishit juristët tuaj aty”.

Spartak Braho:- “Dëgjo ti zoti budalla, sa herë flet ti, mua më rritet bursa, sa herë shpif ti, mua më rritet bursa. Po fola unë për ty, ty jo Ballkani nuk të pranon, por as mbreti i Bahrenit s’ka për të pranuar”.

Sali Berisha:- “Do t’i them kësaj kocke mafioze, se i ka ditët e shkurtra në këtë parlament. Do t’i them këtij shko tek Fehmi Abdiu e ku të duash, po ti o trafikant …”

Servet Pëllumbi:- “Zoti Berisha ju lutem ruani etikën më elementare të drejtimit me njëri-tjetrin”.

Sali Berisha:- “Ti o trafikant mund të trembësh me gangsterët e tu Gazmend Bizhgën, po unë do të tregojë se kush je ti. Ke hyrë si kriminel këtu në parlament, ke hyrë si trafikant në parlament, ti i ke ditët e fundit këtu në Parlament. Ti shkon për të mbrojtur Ramën se ke gati komisionin tënd. Ti o padrino i Durrësit, që lyhesh e zhgërryesh me drogë, që me makinat e të tjerëve qarkullon drogën edhe atë që të shesin drogën ty, fatin tënd do pësojnë. Ti o turpi i parlamentit s’mund të kryesosh kurrë komisionin e ligjeve, jep dorëheqje, sepse ti në këtë parlament s’do mund të kryesosh kurrë komisione dhe ti e dije që ne po nisnim nismën për shkarkimin tënd”.

Ndërkohë parlamenti ka shtyrë për të martën, votimin e përbërjes së komisionit hetimor për transparencën e firmave piramidale, i iniciuar nga deputeti aleancist Preç Zogaj. Shkak është bërë çuditërisht ndërhyrja e deputetit legalist Ekrem Spahia, i cili ka kërkuar që emrat të rishqyrtohen në byronë parlamentare./tvklan.al