Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia gazetarin Ervis Hasanaga dhe ish-punonjësen e AMP Regina Omeri. Togat e zeza kanë prnauar kërkesën e prokurorisë dhe kanë caktuar masën e sigurimit “detyrim paraqitje”, për dy të dyshuarit për veprën penale “falsifikim kopiuterik”. Gjatë seancës mbrojta ka kërkuar që të hetohen në gjendje të lirë, duke argumentuar se në këtë raste nuk kemi të bëjmë me vepër penale.

Ndërkohë burime për Klan News bëjnë me dije se Hasanagaj dhe Omeri, kanë shfaqur pendesë për atë që kanë bërë dhe u kanë kërkuar ndjesë publike zyrtarëve të policisë për lajmet e pavërteta dhe me përmbajte denigruese. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se për ish-shefin e sektorit në AMP, Kushtrim Selimi, seanca për caktim të masës së sigurimit në mungesë do të zhvillohet një ditë tjetër. 

Policia njoftoi zyrtarisht se gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti. 

Portali në të cilin publikoheshin këto informacione ishte i paregjistruar në ndonje organ shtetëror apo në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe nuk figuronte në pronësi të ndonjë individi. Ai rezultonte pa adresë zyrtare dhe pa përfaqësues. Por policia ka mundur që përmes hetimeve të provojë se ai ishte ngritur nga personat e mësipërm.

Qëllimi, sipas hetuesve, ishte denigrimi i drejtuesive të ndryshëm të policisë.

Vetë gazetari, sipas burimeve të policisë, ka pranuar se paguhej për të publikuar këto shkrime që i vinin të gatshme dhe se ai nuk i kishte verifikuar për vërtetësinë. Shuma e parave që ai kishte marrë në dorë ishte 600 euro. Shefi i sektorit në AMP akuzohet për “nxjerrje të sekretit”, lidhur me informacionet që ka dhënë për të bërë lajmet e rreme.

Klan News