Shpërthimi i 1 Marsit në Lushnjë, ku humbën jetën babë e bir, dhe u plagosën 7 persona të tjerë, pritet t’i kalojë SPAK.

Vendimi është marrë nga Prokuroria e Fierit e cila këtë të enjte ka shpallur moskompetencë për këtë çështje, duke qenë se mes të akuzuarve për këtë ngjarje është dhe deputeti socialist, Bujar Çela.

Ky i fundit mbeti vetë i plagosur në atë shpërthim të regjistruar në magazinën në pronësi të tij, e cila rezultoi në tejkalim të lejes së ndërtimit.

Ndaj deputetit Cela rëndojnë 3 vepra penale dhe më konkretisht “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”.

Përgjegjësi për atë ngjarje Prokuroria i ka atribuar edhe biznesmenit, Leonard Gjini të kontraktuar për zhvillimin e ndërtimeve në kapanon nga deputeti Çela.

Ndaj tij rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për të cilën Gjini u vu në pranga nga policia, arrest ky që u rikonfirmua këtë të enjte nga Gjykata e Fierit.

Po ashtu nën akuzë pas kësaj ngjarje janë vënë dhe 5 zyrtarë, 4 prej të cilëve punonjës të bashkisë ndërsa 1 tjetër i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Lushnje.

Për ta gjykata ka caktuar “Pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Tv Klan