Kasa: Numri në rënie e turisteve vendas në jug, zgjodhën të  pushojnë jashtë

Numrit të turistëve të huaj në vend ka ardhur në rritje për vitin 2022. Veç Polakëve që kanë rritjen më të madhe , shtim të numrit të turistëve ka edhe nga disa vende të tjera eurpiane. Durrësi mbetet i preferuari pasi vijon të ketë prenotime nga të huajit deri në mes Tetori.

“Tregu polak i cili është tradicional dhe ka rritje vazhdimisht, tregu çek, tregu nordik. Kemi pasur nga Lituania, nga Gjermania, Zvicra, nga Italia ka pasur një rritje goxha të madhe të numrit të qytetarëve italianë që kanë ardhur me pushime, kryesisht në zonën e jugut”, është shprehur kreu i Unionit Turistik Rrahman Kasa.

Kreu Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa tha se edhe pse nuk bëhet më regjistrimi i shtetasave kosovarë që hyjnë në Shqipëri në sistemin TIMS, turo operatorët kanë konstatuar një rënie të numrit të tyre në strukturat akomoduese.

“Krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie gati 20% numri i turistëve nga Kosova. Destinacioni më i lirë për ta është Velipoja e cila ka qenë në pritshmëritë e duhura. Edhe në Shëngjin pothuajse. Reduktimi më i madh ka qenë në Durrës për shkak se hotelet e kësaj zone kanë qenë të kontraktuara me operatorë ndërkombëtare, pra nuk kanë gjetur mundësi akomodimi.  Po kështu ka qenë një rënie e numrit të kosovarëve në jug, por kjo ka qenë për shkak të çmimeve të larta”, ka thënë Kasa.

Braktisja e jugut nga pushuesit sipas Kasës lidhet me faktin se një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë zgjedhur të pushojnë jashtë vendit.

“Turqia është gjithmonë kampione, bregdeti i Antalies. Greqia si gjithmonë sepse shkohet dhe me një buxhet më të ulët për shkak të transportit i cili bëhet me mjete private ose autobus, në Mal të Zi, Kroaci dhe Itali, deri në vendet e Lindjes së Mesme”, ka përfunduar Kasa.

Edhe pse numri i turistëve ka qenë në rritje, për Kasën të ardhur nga ky sektor për shkak të rritjes së çmimeve ndoshta nuk do tejkalojnë ato të vitit 2019.

Klan News