Mbështetësit kryesorë të Kosovës janë të shqetësuar për situatën e krijuar në vend.

Ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen Petersen dhe eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Serwer thonë se gjendja është kaotike në kushtet e paqartësisë së kompetencave ndërkombëtare dhe ndikimit që Beogradi vazhdon të ketë tek serbët e veriut të Kosovës teksa përpiqet të krijojë një ndarje de facto të territorit.

Sipas tyre rruga për ta shmangur skenarin e ndarjes së Kosovës është presioni ndaj Serbisë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ekspertët thonë se ndonëse nuk ka pasur shumë hapa energjikë për njohjen e Kosovës duhet bërë e qartë që ajo është e pavarur dhe e gjitha nën qeverisjen e Prishtinës.

Sugjerohet që Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara të ndërhyjnë me një plan konkret për vendosjen e autoritetit të Prishtinës në zonën veriore dhe moslejimin e ndarjes. Ndërsa për  Jessen Petersen, Brukseli duhet t’ia bëjë shumë të qartë Serbisë se nëse do të ecë drejt integrimit, duhet të heqë dorë nga hapat që synojnë ndarjen e Kosovës.

Të dy argumentojnë se gjendja e krijuar si nga bllokimi diplomatik që po bën Rusia për një njohje të plotë të Kosovës, ashtu edhe nga programi serb për ndarje, dëmton të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, si nga pikëpamja e sigurisë, ashtu edhe e bashkëpunimit rajonal./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle