Forca speciale të Policisë nga Vlora të veshura civile por të armatosur janë zbuluar sot brenda Konferencës së Partisë Socialiste të qytetit të Tiranës. Edhe pse ky fakt ishte përfolur gjatë gjithë ditës në sallën ku zhvillohej konferenca, ai është publikuar pasdite vonë në momentet e votimit nga deputeti i Vlorës Arben Malaj.

Ai i është drejtuar Ministrit të Rendit Spartak Poçi për t’i nxjerrë jashtë ambjenteve të konferencës 10 vartësit e tij. Ky është një rast flagrant ku punonjës të strukturave të depolitizuara të policisë, kanë rënë ndesh hapur me ligjin për Forcat e Rendit. Pas ndërhyrjes së Ministrit Poçi, specialët e Vlorës në ambientet e konferencës janë nxjerrë jashtë.

Malaj ka paralajmëruar se do ta paraqesë këtë incident në forumet e larta socialiste dhe në Parlament para kongresit për të nxjerrë përgjegjësitë ndaj atyre që sot sollën në konferencën e PS-së së Tiranës Forcat Speciale të Armatosura të Vlorës. Pas këtij incidenti votimet kanë vijuar normalisht ku nga 75 kandidatë do të zgjidhen 62 delegatët për në Kongres./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame