Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Socialdemokrate ka konfirmuar se do të vazhdojë të qëndrojë në koalicionin për Integrim. Këshilli Kombëtar i kësaj parti pas bisedimeve me Partinë Socialiste, i ka dhënë mbështetje të plotë ribashkimit të së majtës.

Marrëveshja e përbashkët mes PS dhe PSD është quajtur definitive dhe e suksesshme. Mbështetja e dhënë do të thotë, poste të reja në qeverisje, ku përveç Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, socialdemokratëve u janë ofruar edhe vende të tjera, por që kryetari Gjinushi nuk i ka bërë të ditura postet por vetëm ka treguar rënien dakord mes tij dhe kryetarit Fatos Nano.

Kryetari i PSD Gjinushi është shprehur se pavarësisht divergjencave me PS, duhet të jemi bashkë, duke treguar çfarë është kërkuar gjatë bisedimeve.

Skënder Gjinushi: “Gatishmëria për të bashkëqeverisur mbas fitores dhe rifitores në bazë të votave të marra, sepse kjo është forma pastaj që mos kesh debat më as për çështje të programit, pra të mënyrës së qeverisjes dhe as për mënyrën e ndarjes së pushtetit, sepse me këtë mënyrë, mënjanohen kompromiset personale dhe zëvendësohen me kompromise, me bashkëpunim partiak, pra mënjanohen pazaret e individëve duke i zëvendësuar këto me bashkëpunim elektoral, me bashkëpunim institucional. PS t’i përgjigjet disa kërkesa politike së pari të PSD, nevojës për përmirësim të qeverisjes, sipas vendimeve që do të merren në tavolinat partiake, gjë për të cilën në parim PS është shprehur dakord dhe së dyti, pikërisht të nevojës për të pasur qysh sot, taktika të qarta për mënyrën e paraqitjes në zgjedhjet e ardhshme”.

Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar të PSD ka diskutuar dhe platformën e kongresit dhe kriteret për konkurrim, për drejtues të kësaj partie, si dhe për postin e kryetarit. Burime brenda kësaj partie thanë, se për kryetar të PSD është propozuar edhe emri i Gaqo Apostolit. Në kongres i cili do të mbahet në Nëntor do të ketë një garë të fortë, e përplasje mes kryetarit aktual Gjinushi dhe Apostolit, që aktualisht mban postin e nënkryetarit të kësaj partie./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti