Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion kërkoi burgim përjetë për Laert Haxhiun, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ngjarje e ndodhur me 11 Tetor të vitit 2017 në qytetin e Lushnjes.

Prokurorja Doloreza Musabelli lexoi rreth 40 faqe konkluzione dhe kërkoi nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion shpalljen fajtor të Laert Haxhiut dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Laert Haxhiu së bashku me Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin, të dënuar me burgim të përjetshëm, akuzohen për atë që njihet si “Masakra e Lushnjes”. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë Zamir Latiti dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, objektivi i autorëve ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili ishte kthyer në Shqipëri një ditë para këtij krimi. Por pak çaste para ngjarjes, ai u shkëput nga shokët dhe shkoi për tu qethur, duke i shpëtuar kështu atentatit.

I gjithë krimi ndodhi për 32 sekonda. Sipas konkluzioneve të prokurorisë, ishin 3 autorët, por vetëm 2 prej tyre qëlluan me breshëri nga makina.

Shkak për ngjarjen e Lushnjes, u bë një konflikt i vjetër që familja Haxhiu kishte me familjen Bare. Banda e Aldo Bares i dogji banesën xhaxhait të Laert Haxhiut, për këtë shkak, ky i fundit vendosi të hakmerret. Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi dhe pritet vendimi i gjykatës së Apelit nëse do të ekstradohet në Shqipëri.

Avokati i Laert Haxhiut, Artan Simoni kërkoi nga Gjykata e Posaçme kohë të njihej me konkluzionet e prokurorisë dhe seanca e radhës u vendos të zhvillohet më 24 Prill.

Klan News