Lajme Arkiva 2003

Një tjetër zonë e vjetër e Tiranës është shkelur nga kandidati demokrat Spartak Ngjela. Banorë të njësisë numër 8 kanë marrë premtimin e Ngjelës së zona e tyre do të ketë shumë shpejtë fytyrën e saj me vlera arkitektonike. Kjo është një nga lagjet e hershme të kryeqytetit, e cila nuk do të lihet pasdore nga pretendenti demokrat për Bashkinë e Tiranës.

 Spartak Ngjela: Është zonë e vjetër tiranse, ka gjurmën e historisë brenda ashtu sikurse ajo që ka qenë para disa ditësh, por brenda kësaj ka një masakër urbane. Të gjitha janë ndërtuar në mënyrë spontane me leje të marra pa asnjë kriter, ndërsa zona gjendet në mjerim. Papunësia është e lartë. Nuk ka asnjë lloj zhvillimi dhe asnjë lloj shprese.

Paraditja elektorale e Ngjelës ka ngulmuar në takimet që ai ka zhvilluar me banorë të bregut të lumit. Çështja e legalizimit të banesave dhe ajo e shkollimit të fëmijëve kanë qenë në qendër të bashkëbisedimit të Ngjelës me këta banorë.

Ai u është përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ka sqaruar skemën e tij të legalizimit të banesave, skemë e cila siç u shpreh Ngjela ka të gërshetuar zgjidhjen politike me zgjidhjen juridike të problemit dhe i lë të kënaqur të dyja palët, pra dhe ish pronarët dhe banorët e vendosur në zonë./tvklan.al