Fjorald Zguro: “Shqipëria kërkon të thithë biznesin britanik, prezenca e të cilit është ende e dobët në vendin tonë, këtij qëllimi i ka shërbyer edhe organizimi i forumit të parë të investimeve Britania e Madhe-Shqipëri e cila është mbajtur në Londër.”

Ministra, bankierë dhe mjaft sipërmarrës shqiptar ishin pjesë e këtij forumi. Gjatë prezantimit të tyre u ekspozua zhvillimi ekonomik i vendit si dhe u shpalosën mundësitë e investimit në Shqipëri ku dominojnë infrastruktura, energjetika, turizmi dhe sistemi financiar.

Genc Ruli: “Faktikisht nuk kemi ndonjë rekord të lartë të investimeve britanike. Nëpërmjet forumeve të tilla ne mundohemi të sjellim një informacion shumë më të azhurnuar, shumë më të plotë se kush janë strategjitë, kush janë sektorët prioritar, Shqipëria është në prag të ndërmarrjes së disa projekteve madhore të infrastrukturës bazë. Faktikisht që nga viti që vjen projektet më madhore në infrastrukturë do të jenë portet.”

Duket se gara për ndërtim portesh ka nisur, përfaqësuesi i një kompanie anglo-zviceriane, i pranishëm në forum zbuloi për televizionin Klan, projektin ambicioz që do ta shndërronte Vlorën në portin më të madh të kontenierëve në Adriatik.

“Gjiri i Vlorës ofron thellësinë e duhur për ndërtimin e një porti kontenierësh, projektin ja kemi dorëzuar qeverisë shqiptare. Investimi vetëm or fazën e parë arrin në 530 milion euro dhe për këtë kemi gjetur financuesit. Punimet parashikohet të shkojnë deri në 20 muaj dhe duke e kthyer Vlorën në portin më të madh të konteniereve në të gjithë Adriatikun.“

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi prezantoi hapat e shpejtë me të cilat po ndryshon infrastruktura rrugore në Shqipëri si jesh edhe e korridoreve të rëndësishme rajonale. Ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe Zef Mazi, u shpreh se ka ende shuam njerëz që dinë fare pak për Shqipërinë dhe ky forum do të ndihmojë në krijimin e një imazhi pozitiv.

Zef Mazi: “Ne e konceptuam këtë forum në formë të tillë që të përfaqësohet në nivelet më të larta të ekzekutivit tonë. Qëllimi i këtij forumi është që t’i tregojmë komunitetit të biznesit, të Anglisë, mediave se Shqipëria sot është një vend që ka bërë një përparim mjaft të ndjeshëm, kemi një numër në rritje të interesave nga firma veçanërisht në fushën e energjetikës, në fushën e naftës, në fushën e turizmit.”

Si kundër se konfirmoi dhe ambasadori shqiptar, turizmi është një tjetër sektor me interes për britanikët , të cilët kërkojnë të ngrenë qyteza turistike përgjatë bregdetit tonë. Ministri i Turizmit Ylli Pango, është i mendimit se puna e mirë në përmirësimin e imazhit do të sjellë jo vetëm më shuam turistë, por edhe më shuam investime.

Ylli Pango: “Unë them që po krijohet një traditë shumë e mirë, ambasadori Mazi mendon që kjo do të jetë traditë e përvitshme pasi edhe klima edhe qëndrimi karshi turizmit shqiptar por në përgjithësi karshi Shqipërisë në mediat britanike ka qenë shuam pozitiv në 2007 dhe 2008, plus që interesimi i investitorëve ka qenë i madh, unë kam pasur 2 investitorë të njohur britanik kohët e fundit për të investuar në bregdetin shqiptar, e rëndësishme është që ne të arrijmë Shqipërinë gjithnjë e më të njohur dhe ky forum është vërtetë nga më të rëndësishmit.”

Sistemi financiar, bankar dhe jo bankar është një tjetër fushë atraktive për investime.

“Shqipëria ka një monedhë të qëndrueshme, inflacion në rritje relativisht të ulët, norma interesi të ulëta të monedhës vendase dhe rezerva të huaja të mjaftueshme, të kombinuara me një situatë politike të qëndrueshme u konstatua, që Shqipëria mund të zhvillohet në të njëjtat linja me vendet e ngjashme në Evropën Jugore dhe atë Lindore.”

Forumi i parë i investimeve shqiptare i organizuar në Londër u mundësua nga ambasada jonë në Britaninë e Madhe me mbështetjen e Bankës Raiffaisen. Forumi tenton të kthehet në një traditë të përvitshme për të thithur kapitalin dhe eksperiencën më të mirë të Britanisë në sektorin e ekonomisë./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro