Ishte një natë e madhe ajo e së martës në “Qemal Stafa”. Ishte një nga ato mbrëmje që nuk harrohen. Në fakt ka qenë një ëndërr e të gjithë tifozëve të shihnin një skuadër të madhe të luajë kundër një ekipi shqiptar.

Kjo ka ndodhur mbrëmë, por askujt nuk ia merrte mendja se skuadra shqiptare, qoftë kjo edhe më e mira të fitonte.

Një gol i ardhur nga një aksion i ndërtuar i Tiranës dhe që mban emrin e Daniel Xhafës dhe një tjetër i mrekullueshëm i Gjergj Muzakës.

Si ka mundësi që humbi Milani, pikëpyetja e të gjithëve. Por një shpjegim e jep Carlo Pelegati, gazetar i Mediasetit prej shumë vitesh, komentator sportiv dhe tifoz i Milanit, i cili e ndjek skuadrën kudo.

Carlo Pelegati: “Milani e nisi pak ngadalë, pastaj erdhën dy gola shumë të bukur të Tiranës. Milani kishte raste, por nuk qe me fat, ndërsa Tirana luajti mjaft mirë. Milani hasi në një pritje të madhe të portierit kur goditi Shecshenko nëse mund të kishte ndryshuar gjërat, por kjo ishte ndeshja.”

Pelegati është i njohur për batutat e tij, për shprehjet e pazakonta e nofkat që iu vë futbollistëve. Kësaj radhe ajo çka i ka bërë përshtypje është goli i Gjergj Muzakës.

Carlo Pelegati: “Në koment thashë, që goditja e Muzakës te goli i dytë shtangu Abiatin, sikur të kishte parë meduzat të cilit ngrinin kundërshtarët e tyre.”

Gjergji Muzaka: “Në radhë të parë ishte ëndërr të luanim njëherë me Milanin, besoj se nuk të jepet në jetë kjo mundësi, aq më tepër të shënosh në ndeshje të tillë është emocion i papërshkrueshëm.

Erion Todhe: “Si do mburresh tani?”

Gjergji Muzaka: “Po them të qëndroj me këmbë në tokë njëherë për njëherë”

Të pranishëm në stadiumin Qemal Stafa me gazetarëve totalin të pa kënaqur nga humbja e Milanit, qarkullonte ideja se Anceloti do të dalë dhe do të thotë që është i kënaqur me lojën dhe se objektivi i tij për këtë ndeshje u arrit.

Carlo Anceloti: “Ishte një ndeshje stërvitore, kemi luajtur me ritëm të mirë, jemi përkushtuar, kemi patur dëshirë, nuk kemi fituar, por s’ka rëndësi, stërvitja ishte frytdhënëse.”

Kuptohet mjaft mirë që Anceloti me shumë tituj nuk ishte i kënaqur për ndeshjen e skuadrës së tij, por nga ana tjetër trajneri i Tiranës Blaz Sliskoviç nuk e beson ende se ka fituar kundër Milanit.

Blaz Sliskoviç: “Mendoj se jam i vetmi trajner në Bosnje-Hecegovinë që ka fituar kundër skuadrës më të madhe në botë, Milanit. Sigurisht që jam krenar për veten, jam krenar për djemtë e mi, jam krenar për klubin, presidentin dhe ortakët e tij sepse na dhanë mundësinë të tregojmë se tek Tirana ka lojtarë cilësorë.”

Ndërsa për vetë futbollistët e Milanit, Nesta e Schevcenko kjo ndeshje u pa në planin personal.

Andriy Shevchenko: “Po rritem, ndihem mirë, po stërvitem mirë. Kam luajtur një ndeshje në Ukrainë, kam luajtur për 90 minuta. Sot kam luajtur për 45 minuta, jam i kënaqur sepse duhet të jem në formë, duhet të stërvitem mirë.”

Alessandro Nesta: “Mendoja se do të isha më keq, por isha mirë. Duhet të mbaroj përgatitjet, të punoj me shpejtësinë pastaj do të shkojë mirë shpresoj.”

Yjet e Milanit u shuan në “Qemal Stafa” në një ndeshje miqësore. Por që për pjesën më të madhe të saj, nuk ishte krejt e tillë. Portieri 37-vjeçar Blendi Nallbani ndaloi disa herë goditjet e Milanit drejt portës së tij.

Blendi Nallbani: “Tani kush fiton me këtë ekip që është një ndër ekipet më të forta në botë është afër mendjes që është një arritje.”

Erion Todhe: “Mund të themi që ky ishte Milani i vërtetë?”

Blendi Nallbani: “Tani çfarë pashë aty në fushë nga mënyra se si flisnin ato unë thash se ishte Milani në të vërtetë. Por megjithatë nuk kishte 4-5 lojtarë të tjerë.”…/tvklan.al

Gazetar:Erion Todhe