Dëshironi që të reduktoni rrezikun e zhvillimit të një sëmundje kronike dhe të jetoni më gjatë? Ekspertët sugjerojnë të hani ushqime me bazë bimore. Kjo nuk do të thotë që ju mund të mbushni pjatën tuaj me makarona, djathë, pica me perime të ngrira apo patate të skuqura. Ndërsa të gjitha këto zgjedhje ulta të përpunuara mund të jenë pa mish, ato nuk janë pa rrezik.

“Ne nuk mund të supozojmë gjithmonë se me bazë bimore do të thotë të shëndetshme pasi në fund të fundit, sheqeri është me bazë bimore. Shumë ushqime që nuk përmbajnë produkte shtazore, si për shembull biskota, patatina, ëmbëlsira dhe pije alkoolike janë teknikisht me bazë bimore, por nuk konsiderohen të shëndetshme”, tha dietologia Duane Mellor.

Në fakt, ngrënia e ushqimeve të tilla të dëmshme rrit në mënyrë dramatike kolesterolin e keq dhe hipertensionin dhe mund të çojë në sëmundje të zemrës dhe vdekje të hershme, sipas një studimi të ri.

“Ngrënia e produkteve me bazë bimore mund të jetë e dobishme, duke vepruar si mbrojtje kundër problemeve shëndetësore, ose mund të përfaqësojë një rrezik, gjithçka varet nga niveli i përpunimit të këtyre ushqimeve,” tha autorja e studimit, Renata Levy.

Ushqimet ultra të përpunuara i nënshtrohen proceseve si ngrohja, formimi apo ngjeshja dhe kanë të shtuar kimikate për të ndryshuar erën, shijen dhe strukturën. Ushqimet e kësaj kategorie janë formuluar për të qenë tepër të shijshëm për shijet e njeriut dhe shpesh janë jashtëzakonisht të përshtatshëm, duke kërkuar pak ose aspak kohë përgatitjeje.

Ushqimet e papërpunuara përfshijnë fruta dhe perime të freskëta, vezë dhe qumësht. Ushqimet e përpunuara minimalisht përfshijnë përbërës të kuzhinës si kripa, barishte dhe vajra, dhe ushqime të tilla si produkte të konservuara dhe perime të ngrira që kombinojnë përbërësit e kuzhinës me ushqimet e papërpunuara.

Studimi, i botuar në revistën The Lancet Regional Health-Europe, përdori të dhëna të mbledhura nga një studim që përfshin pjesëmarrës nga Anglia, Skocia dhe Uellsi. Më shumë se 118,000 njerëz midis moshës 40 dhe 69 vjeç iu përgjigjën pyetjeve rreth dietës së tyre. Ky informacion u lidh më vonë me të dhënat spitalore dhe të vdekshmërisë mbi zhvillimin e faktorëve të rrezikut kardiovaskular.

Studimi zbuloi se ushqimet ultra të përpunuara me bazë bimore rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare me 5% ndërsa rrisin rrezikun e vdekjes së hershme me 13%. Studiuesit zbuluan gjithashtu se çdo zëvendësim 10% i ushqimeve ultra të përpunuara me bazë bimore me bimë të freskëta, të ngrira ose të përpunuara minimalisht ul rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare me 7%, ndërsa ofron një reduktim 13% të rrezikut të vdekjes nga sëmundjet e zemrës./tvklan.al