Një ditë pas publikimit të raportit të Guardia Di Financa për situatën e mbjellljes së kanabisit në vend, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pranoi se kultivimi i lëndëve narkotike është një prej problemeve me të cilat po përballet vendi.

Po, e pranoj i pari, ne e kemi një problem me kultivimin e kanabisit në vend. Ndonëse shumë më të vogël se kur qeveriste qeveria e kaluar dhe opozita e sotme, siç konfirmuan partnerët ndërkombëtarë, por është përsëri një problem që duhet zgjidhur. E duhet ta zgjidhim bashkë me çdo qytetar.”

Ministri akuzoi opozitën, mediat dhe segmente të Prokurorisë që sipas tij po përbaltin punën e policisë.

“Vetëm 48 orët e fundit, kam dëgjuar shpifje nga ato që të lënë me gojë hapur. “24 kilogram drogë”, opozita, segmente të medias, dhe ca “lajme me burime të Prokurorisë” i bënë 24 ton. E kur arrijnë të shpifin me tre zero nga pas, sa 24 kile t’i bëjnë 24 ton, kuptoj edhe nga dolën 10 mijë tonët e Lulzim Bashës dje.”

Po ashtu Ministri i Brendshëm pranoi se efektivë të policisë janë implikuar në mbjelljen dhe trafikun e drogës.

 “Sigurisht ka jo pak në Polici që kanë rënë në grackën e paligjshmërisë, duke mbyllur sytë, duke bashkëpunuar e duke favorizuar ata që shkelin ligjin. Luftën kryesore e kemi me cilindo prej punonjësve të policisë, që shkel ligjin. Pasuria juaj me e vyer nuk është kolegu që shkel ligjin, por qytetari që pret integritet, shërbim dhe besim në Policinë e Shtetit.”

Në raportin e bërë publik ditën e premte në Shqipëri, gjatë këtij viti u mbollën 231 hektarë kanabis dhe u shkatërrua 99,8% e sipërfaqes me një total prej 2,4 milion bimë të asgjësuara.

Tv Klan