Partitë shqiptare garojnë në 2 koalicione

Në Malin e Zi zhvillohen këtë të dielë zgjedhjet e parlamentare. Partitë shqiptare garojnë të ndara në dy grupime, Lista shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar.

Lista shqiptare është grupimi më gjithëpërfshirës, pjesë e të cilit janë 5 parti shqiptare, Alternativa, Forca, Lidhja Demokratike, Unioni i Tuzit dhe Perspektiva.  

Ky grupim synon të marrë të paktën 2 deputetë në Parlamentin 81 vendësh të Malit të Zi. Pjesë e këtij koalicioni janë edhe Nik Gjeloshaj që fitoi bindshëm zgjedhjet në komunën e riformuar të Tuzit në Mars të vitit të kaluar dhe Genci Nimanbegu, një ndër 3 deputetët shqiptarë të legjislaturës së fundit.

Në takimet e fundit elektorale, ata u bënë thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në këto zgjedhje, që sipas tyre garantojnë të ardhmen euroatlantike të vendit.

Klima politike në Malin e Zi është aktualisht e tensionuar, veçanërisht pas ligjit të miratuar vitin e kaluar për shtetëzimin e pronave të kishës serbe, që ngjalli protesta masive të komunitetit serb.

Tv Klan