Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar sot se misioni i EULEX-it duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës deri më 9 Dhjetor, në të kundërtën tha ai ky mision nuk do të jetë kuptim.

Megjithëkëtë Thaçi u shpreh se shtrirja e misionit Evropian për rend dhe ligj, natyrisht se nuk është një punë e lehtë.

Hashim Thaçi: “EULEX do të fillojë misionin e vet më 9 Dhjetor. Ky mision do të ketë kuptim vetëm që ditën e parë, do të fillojë të instalohet edhe në Veri të Mitrovicës. Nëse EULEX nuk fillon instalimin po atë ditë, që ditën e parë, atëherë duhet të them se këtij misioni i humb kuptimi. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë qëndrim shumë kritik dhe mënyra e të vëzhguarit të situatës apo sjelljes oportune do të jetë e papranueshme prej institucioneve të Republikës së Kosovës dhe popullin e Kosovës.”

Kryeministri Thaçi me rastin e inicimit të strategjisë nacionale kundër krimit të organizuar ka thënë se një ndër objektivat kryesore të misionit të EULEX-it do të jetë përballja me kontrabandën që zhvillohet aktualisht në veri të Kosovës.

Hashim Thaçi: “Natyrisht se EULEX nuk do ta ketë rrugën e shtruar me lule në Veri, po kjo gjendje është e krijuar për shkak të kushteve dhe rrethanave dhe tolerimit të strukturave paralele, strukturave legjitime dhe ruajtjes së gjendjes së status kohës. Ky vazhdim i kësaj gjendjeje është i patolerueshëm.”/tvklan.al