Thellohet kriza brenda demokristianëve. Vendimi i kryetarit Nard Ndoka për të shkarkuar kryetarin e grupit parlamentar Pashk Ujka ka ngjallur pakënaqësi brenda partisë.

Zef Bushati: “Nuk më duket aspak i menduar dhe i logjikshëm, nga ana e atyre deputetëve të cilët mendojnë se kanë të drejtën e tyre për të emëruar, apo për të shkarkuar kryetarin e grupit parlamentar Demokristian.”

Bushati, por edhe vetë Ujka nuk mohojnë aspak krijimin e një partie të re apo afrimin e deputetëve demokristianë pranë një force tjetër e cila mund të përfaqësoi më mirë interesat e elektoratit kristian, duke lënë të kuptohet se kjo parti mundtë jetë Lëvizja Demokristiane e Lesit.

Zef Bushati: “Në qoftë se do të vazhdohet me këto shkarkime në Partinë Demokristiane, normalisht problemet do të thellohen dhe do të kërkohen pastaj zgjidhje të tjera institucionale.”

Pashk Ujka: “Forcat lëvizëse kristiane nuk kanë përfaqësim dhe po kërkojnë të gjejnë formën e përfaqësimit. Po lëvizet këto ditë dhe do të ketë edhe lëvizje të tjera në mënyrë që e gjithë lëvizja kristiane shqiptare pozicionohet dhe të përfaqësohet meqenëse zoti Ndoka nuk e quajnë më një përfaqësues të tyre, por një përfaqësues mediokër i paaftë.”

Ndërkohë pas shkarkimit ish-kryetari i grupit parlamentar demokristian shkon edhe më tej duke sulmuar drejtpërdrejtë ministrin e Shëndetësisë Nard Ndoka. Sipas Ujkës, Ndoka ka gënjyer për arsimin e tij pasi nuk disponon dëftesën e shkollës së mesme.

Pashk Ujka: “Llogarite në dorë të kujt ka rënë ministria e Shëndetësisë dhe administrata shqiptare. Arsyeja është se njerëzit nuk dyshojnë se zoti Ndoka mund të ketë mbaruar shkollën e lartë, por s’ka mbaruar të mesmen.”

Vetë kryedemokristiani Ndoka nuk ka dhënë asnjë koment, në lidhje me krizën që ka përfshirë partinë e tij pasi ndodhet në një vizitë jashtë vendit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka