Ish-futbollisti Ansi Agolli komentoi në intervistën e dhënë për gazetarin Besard Jacaj në Klan News, edhe numrin e madh të tifozëve në stadiumin e Dortmundit, në takimin mes Shqipërisë dhe Italisë, mbrëmjen e së shtunës së 15 Qershorit.

“Me aq shumë tifozë në stadium mua më dhanë një emocion të veçantë, m’u kujtua Euro 2016. Por duhet të jemi realist, Italia është një skuadër e madhe. E vertetë që kemi një skuadër më të mirë se në Euro 2016, por e theksoj, ishte para nesh Italia. Eksperienca e tyre, e italianëve është shumë e madhe, luan gjithnjë ose në Europian ose në Botëror dhe jo më kot kanë fituar tituj.

Agolli bën edhe një vlerësim sa i takon mënyrës sesi luajti Shqipëria.

“Shqipëria nuk luajti mirë në 30 minutat e para të pjesës së parë, por më pas reagimi ishte normal, duhet diçka më shumë. Ne edhe me De Biasi-n kemi luajtur me “murin e ulët”, por kësaj radhe i lamë shumë hapësirë Italisë. Ndoshta kjo është kritika për Silvinjon, në momentin pas shënimit të golit, i lamë shumë hapësirë italianëve. Strakosha mendoj se bëri një paraqitje pozitive. Pati vështirësi në disa momente, por Strakosha është një siguri për të tashmen dhe të ardhmen e portës sonë”.

Sa i takon vendimit të Silvinjos për të lënë jashtë Cikalleshin, ish-kapiteni shprehu rezervat e tij.

Kam rezervat e mia për vendimin e Silvinjos për lënien jashtë të Cikalleshit. Me siguri Cikalleshi mezi e priste, sepse në 2016, duke qenë se Armando Sadiku ishte në top formë, Cikalleshi luajti pak. Mendoj se ka bërë nje sezon të mirë me ekipin e tij dhe Cikalleshi me përvojën e tij do të dinte ta menaxhonte presionin për këto ndeshje të mëdha”./tvklan.al