Thomas Tuchel është i hapur për të qëndruar te Bayern Munchen, ndërsa interes për shërbimet e tij ka shprehur edhe Mançester Junajtid. Bayern njoftoi në shkurt se tekniku gjerman mund të largohej në fund të sezonit.

Por pas refuzimeve nga një sërë emrash duke përfshirë Xabi Alonso, Julian Nagelsmann dhe Ralf Rangnick, sipas ESPN, klubi gjerman ka rinisur bisedimet me 50 vjeçarin për mundësinë e qëndrimit.

Edhe vetë Tuchel nuk do t’i thoshte jo qëndrimit në “Allianz Arena”. Nëse më parë ai ka qenë pro kalimit te “Djajtë e kuq” nëse Erik ten Hag largohej, tani nuk është shumë i sigurt se oferta do t’i bëhej.

Kurse te bavarezët, janë të shumtë tifozët që nuk duan që ai të ikë. Për më tepër që edhe futbollistët kryesorë kërkojnë që të punojnë me të. Nojer, Myler, Kejn dhe Musiala nuk i kanë fshehur konsideratat për 50 vjeçarin.

Një bisedë mes palëve është bërë, ku Tuchel ua ka bërë të qartë drejtuesve se ai do të vendosë të qëndrojë nëse i ofrohet një kontratë deri në 2026-ën. Tani radha është e drejtuesve që të vendosin.

Klan News