Rrugët e Beratit janë të mbushura plot me turistë në këto ditë të para të muajit Maj.

Për çdo turist që shkel në Shqipëri, Berati është në krye të listës së destinacioneve për t’u eksploruar.

Kalaja dhe lagjet e vjetra të Mangalemit e Goricës janë atraksionet më të vizituara.

Operatorët turistikë rrëfejnë se në preferencat e turistëve janë edhe turet në lumin Osum, në ujëvarën e Bogovës, Sotirës dhe në malin e Tomorrit, ku përveç historisë, kureshtja është edhe për kulinarinë dhe sportet në natyrë.

“Kalaja e Beratit është kurora e gjithë princeshës, sepse çdo njeri që shkel në Berat, në kala shkon me patjetër”, thotë një operatore turistike.

Ky turist gjerman, që ka ardhur së bashku me familjen e tij, thotë se Berati është një ndër vendet më të bukura që ka vizituar ndonjëherë. Ndaj ka vendosur t’i zgjasë pushimet.

“Do qëndroj dhe një javë tjetër për të përmbyllur muajin në Shqipëri. Më shumë po shoh malet dhe natyrën e bukur. Kushtet e motit janë fantastike dhe deti një perlë. Kam vizituar Përmetin, Vjosën, por Berati mbetet një ndër vendet më të veçanta që kam parë.”

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo thotë se viti 2023 u mbyll me një bilanc me mbi 800 mijë turistëve që e kanë vizituar qytetin, ndërkohë që  në 3 muajt e parë të vitit 2024, numri i vizitorëve është rritur me 35% krahasuar me 3 mujorin e parë të vitit 2023.

“Projeksioni jonë për vitin 2024 me shumë gjasa do të jetë një shifër 1 milion turistë. 3-mujori i parë, Janar-Mars, e tregon qartazi këtë gjë, ne kemi një rritje 35% krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2023”, thotë kryetari i Bashkisë Ervin Demo.

Rritja e shërbimeve publike, të agroturizmit dhe hotelerisë mbeten sfida e këtij viti për bashkinë e qytetit që numëron mbi 3 500 shtretër në strukturat akomoduese.

“Më shumë se 80 mijë netë vetëm me AirBNB. Numri i dhomave që jepen me qira nëpër shtëpi, apo shtëpitë që jepen me qira për turistët, pastaj patjetër dhe gjithë hotelet, e tregojnë qartazi që kapacitetet janë atje, kapacitetet janë duke u rritur ditë pas dite. Vetëm në zonën muzeale, ne sot kemi mbi 40 struktura që janë duke u ndërtuar”, thekson kryebashkiaku Demo.

Kulinaria dhe kantinat e verërave e bëjnë paketën turistike të Beratit më të kompletuar, duke kontribuuar në suksesin turistik të zonës. Turistët që zgjedhin të vizitojnë Beratin janë kryesisht nga Hollanda, Spanja, Franca e Anglia, por nuk mungojnë grupe turistike nga vende aziatike, për të cilët kjo pasuri e UNESCO-s është ndër më të veçantat që ata kanë vizituar ndonjëherë.

Tv Klan