Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi punimet në zonën e Kombinatit ku do strehohem familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, tha se 2025-a do të jetë viti kur do t’i jepet fund problematikave që shkaktoi fatkeqësia natyrore.

“Qëllimi është të bëjmë një punë për së mbari! Na duhet që të shkojmë te mbi 1 mijë apartamente për ta mbyllur përfundimisht historinë e tërmetit dhe për t’u siguruar që viti buxhetor 2024-2025 është viti kur ne i japim fund një prej dramave më të mëdha, të cilën nuk e shkaktoi qeveria e bashkia, por natyra dhe mënyra si tërmeti solli shumë dëmtime”, tha Veliaj.

Duke falenderuar qytetarët për besimin, Veliaj u bëri thirrje të mos lejojnë të përdoren nga politika e vjetër që, sipas tij, krijon vonesa të pafalshme.

“Kur shikon Ilir Metën që vjen dhe proteston te Bashkia e Tiranës, duke puthur duart e atyre që bllokonin punimet, duhet të kujtojmë një gjë: Jargët e Ilir Metës do thahen, ndërsa këto pallatet këtu, do mbeten. Kur ne lejohemi të punojmë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, u shpreh ai.

Pas përfundimit të kolaudimeve dhe infrastrukturës bazike do të hidhet shorti publik për përzgjedhjen e njësive të reja të banimit, në objektet e ndërtuara në këtë zonë, siç është bërë më herët në rastin e banesave tek lagjja “5 Maji”.

Tv Klan