Juela Meçani: “Sot kryeministri i republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha priti Ministrin e Punëve dhe Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zotin Anastas Duro, i cili duke iu shprehur kryeministrit Berisha vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin me kryeministrin dhe qeverinë shqiptare paraqiti dorëheqjen pas faktit se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u nda nga koalicioni qeveritar dhe kaloi në koalicionin opozitar. Kryeministri i republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, falënderoi zotin Anastas Duro, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post. Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, propozon në postin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zv/Ministrin aktual të Drejtësisë, zotin Viktor Gumi. Zoti Viktor Gumi është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, si dhe është lektor në shkollën e Magjistraturës dhe në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Është anëtar i bordit të shkollës së Magjistraturës. Ju faleminderit!”/tvklan.al