Në mbrëmjen e sotme në “Uembli”  Borusia Dortmund dhe Real Madrid do të përballen në finalen e Ligës së Kampionëve.

Nëse ia del, ky do të jetë trofeu i 15 për galaktikët, që këtë kompeticion e dominojnë dhe i pesti për trajnerin Karlo Ançeloti.

Në konferencën për shtyp përpara takimit, trajneri i “Los Blankos” tha se skuadra e tij është aq afër suksesit, sa në ekip kanë frikë.

Ndërsa tekniku i Borusias, Edin Terziç beson tek ekipi i tij, dhe e bënte qartë se nëse lojtarët tregohen të zotë, e kanë një shans për të fituar.

‘Los Blankos’ nuk e njohin humbjen në kompeticion prej 12 takimesh, por, kjo është hera e parë që ata arrijnë në një finale të Ligës së Kampioneve pa humbur asnjë sfidë.

Dortmundi ka dështuar në vetëm 1 nga 11 ndeshjet e fundit, por duke mbajtur portën e paprekur në 6 nga këto takime dhe duke shënuar golin e parë në nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit.

Verdhezinjtë finalen e tyre të fundit të Champions e kanë luajtur në Uembli, ku u mundën nga Bajern Mynihu 2-1 në 2013, me Mats Humels dhe Marko Rojs që ende luajnë role kryesore për klubin 11 vjet më vonë.

Përvoja e tyre do të shërbejë, edhe pse kundër kanë kundërshtarë që kanë humbur vetëm 1 nga 20 takimet e fundit ndaj rivaleve gjermane.

Klan News