Shtatë nga 26 anëtarët e grupit që trafikonin emigrantë nga Bangladeshi, Iraku dhe Pakistani rezulton se kanë patur rolet më kryesore.

Referuar dosjes hetimore, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli dhe Tom Preka ishin organizator të skemës së trafikut të klandestinëve drejt vendit tonë.

Klan Neës mëson se Luan Sulaj mundësonte transportin, Lulzim Lami siguronte kontrata punësimi fiktive, ndërsa zyrtarët e policisë Edmond Barha e Altin Hasani ishin garancia për të mos prekur klandestinët.

Arba Hysenllari, punonjëse e agjencisë së punësimit, ishte në dijeni të aplikimeve për punësim e viza pune, por edhe të aktivitetit kriminal. Të pandehurit kryenin aplikime për leje unike punësimi për të huajt dhe më pas aplikime për pajisje me vizë të kategorisë “D” për punësimin e klandestinëve.

Të gjitha këto ishin fiktive pasi qëllimi ishin që të huajt të vinin legalisht në Shqipëri dhe më pas të largoheshin drejt vendeve të BE-së. Në gjashtë muajt e fundit në Shqipëri hynë 260 shtetas të huaj, duke ndjekur linjën ajrore Dubai – Rinas, dhe më pas shpërndaheshin për të kaluar kufirin e gjelbër, të ndihmuar nga trafikantë.

Në dosjen hetimore është i përcaktuar edhe roli i punonjësve të policisë. Sipas SPAK, shefi i seksionit për migracionin e parregullt Edmond Barha kryente porositë e specialistit për sektorin e të huajve, Altin Hasani.

Ky i fundit jepte aprovimin në lidhje me procedurat e pajisjes me vizë të shtetasve të huaj, dhe nuk takohej vetë me trafikantët por dërgonte oficerin Barha.

Në një prej përgjimeve të shumta, Luan Tafalla i shpjegon një personi tjetër se ka qenë në banesën e Hasanit dhe kanë biseduar për shtetasit e huaj.

Një tjetër përgjim është mes Endri Seitit dhe Arba Hysenllarit ku diskutojnë se kush duhet të takojë Edmond Barhën, teksa Seiti i thotë se ai nuk e takon se i kërkon lekë.

Inspektori tjetër i policisë Ariel Hoxha me funksion në komisariatin e policisë kufitare në Rinas, dyshohet  i përfshirë pasi në telefonin e tij janë gjetur të dhëna për klandestinët.

Pas një seance maratonë e nisur në orën 10 të paradites së të dielës, Gjykata la në fuqi masat e sigurisë për 24 personat e ndaluar dhe 2 të shpallur në kërkim lidhur me grupin kriminal që trafikonte klandestinë.

19 prej tyre u lanë na masë sigurie arrest në burg, 3 në arrest shtëpie dhe dy detyrim paraqitje.

Klan News