Deputeti i Illinoisit, Rahm Emanuel pas një pause reflektimi ka pranuar postin e kreut të kabinetit të presidentit Obama. I cilësuar si njeriu i Izraelit që futet në shtëpinë e Bardhë, Emanuel është një prej kryetarëve të grupit pro serb në kongresin amerikan. Një  komitet bipartisan ligjvënësish që janë të përkushtuar në ruajtjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

I ati i tij i lindur në Izrael ka qenë pjesë e një lëvizje hebraike klandestine që ka luftuar trupat britanik para krijimit të shtetit të ri në 1948.  Emanuel do të jetë një prej këshilltarëve më të afërt të presidentit, dhe zakonisht do të vendosë se kush mund të takohet me të, por edhe për politikat e administratës.

Një tjetër emër i është shtuar stafit të Obamës. Bëhet fjalë për Robert Gibbs i cili do të jetë zëdhënësi i ardhshëm i shtëpisë së bardhë.  Ndërsa në stafin e presidentit pritet të marrin pjesë dy Kenedy. Robert Kenedy Junior, i biri i Bob, i cili do të marrë detyrën e Agjencisë së mbrojtjes së Ambientit, dhe Karolina bija e presidentit John Fitzxherald, si ambasadore në kombet e bashkuara.  

Barack Obama takohet sot  me këshilltarët e tij ekonomikë dhe do të mbajë konferencën e parë për shtyp që nga zgjedhja e tij si president. Ai po trashëgon krizën më të thellë në dekada dhe është çështje orësh para se të emërojë kreun e ri të thesarit.

Obama pritet të zgjedhë mes tre figurave të shquara të ekonomisë në Uashington. Të enjten në Chicago, presidenti i mori informatat e para sekrete të kundërzbulimit nga zyrtarët e CIA-s./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle