Franca mund të përballet me trazira civile dhe dhunë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat e djathta ekstreme sipas sondazheve mund të fitojë pjesën më të madhe të votave.

Ministrat e Brendshëm dhe të Financave shprehën shqetësimin se suksesi i së djathtës ekstreme dhe polarizimi në politikën dhe shoqërinë franceze mund të çojnë në një rritje të trazirave civile.

“Ka mundësi që të ketë tensione jashtëzakonisht të forta, para së gjithash në mbrëmjen e zgjedhjeve, ndaj do të sigurohemi që të ruhet rendi. Nëse doni mendimin tim, është se për këto zgjedhje evropiane dhe këto zgjedhje parlamentare është fakti se populli gjithmonë përfundon duke paguar për gabimet, demagogjinë e partive ekstremiste.

Fatkeqësisht alternativa është se ata nuk bëjnë atë që thonë se do të bëjnë, kështu që do të kenë gënjyer popullin francez dhe në atë rast zhgënjimi dhe zemërimi do të jenë edhe më të mëdha. Pra, po, mendoj se në shtator, tetor, nëntor mund të ketë probleme vërtet të mëdha shoqërore, sociale.”

Ndërkaq edhe ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius në një takim me homologët e tij francezë dhe polakë, deklaroi se historia evropiane tregon se nacionalizmi nuk ofron zgjidhje për problemet, duke shtuar se do të ishte më i lumtur nëse forcat liberale fitonin zgjedhjet e ardhshme legjislative në Francë.

“Kjo është arsyeja pse do të isha i lumtur nëse do të arrihej një rezultat i vërtetë, i cili do të forconte forcat demokratike, të lira dhe pro-evropiane dhe kështu të ardhmen e Evropës,” tha ai.

Tubimi Kombëtar një parti nacionaliste, anti-imigruese e Marine Le Pen doli e para në zgjedhjet e Bashkimit Evropian dy javë më parë, duke bërë që Macron të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet që do të zhvillohen pak para fillimit të Lojërave Olimpike të Parisit më 26 korrik.

Udhëheqësi i kësaj partie, Jordan Bardella, i cili mund të jetë kryeministër nëse Tubimi Kombëtar fiton zgjedhjet, me Macron që do të qëndrojë si president në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, kundërshton faktin se partia e ekstremit të djathtë mund të trondisë ekulibrat në Francë.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se Tubimi Kombëtar ka mbështetjen më të madhe përpara raundit të parë të votimit më 30 qershor, me një aleancë të re të partive të krahut të majtë, Frontin e Ri Popullor (NFP), në vendin e dytë dhe grupin centrist të Macron në të tretin.

Le Pen ka punuar shumë për të detoksifikuar imazhin e partisë së saj nacionaliste euroskeptike, duke e paraqitur atë më gjerësisht si një mbrojtëse e të ardhurave familjare, vendeve të punës dhe identitetit francez.

Klan News