Europiani që do të zhvillohet në Gjermani është një vitrinë e mirë për çdo futbollist që të tregojë vlerat e tij. Mes lojtarëve që do të marrin pjesë në Euro 2024 ka lojtarë shumë të njohur, por ka edhe nga ata që pritet të bëhen “klas botëror”. BBC ka renditur 24 futbollistë të rinj të cilët ia vlen që të shikohen gjatë finaleve të kampionatit këtë verë.

Martin Baturina (Kroaci)

Mosha: 21 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Dinamo e Zagrebit

Ai konsiderohet si “Modriçi i ri”. Dinamo e Zagrebit nuk do të jetë dot në gjendje ta mbajë për gjatë futbollistin, sidomos pas një Europiani të shkëlqyer për moshat U21 në vitin 2023. Pas tij janë Juventusi dhe Arsenali, dhe jo të vetmit.

Warren Zaire-Emery (Francë)

Mosha: 18 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: PSG

Aftësitë e Warren Zaire-Emery i kemi parë që tani. Ai ka bërë performanca të jashtëzakonshme me Paris Saint-Germain. Emery është një talent i vërtetë në një moshë kaq të re. Pasi kërkoi leje që të japë me vonesë provimet në shkollë, ai tashmë pret një shans nga Didier Deschamps për të treguar se çfarë mund të japë në skenën e të mëdhenjve.

Benjamin Sesko (Slloveni)

Mosha: 21 vjeç Roli: Sulmues Skuadra: RB Leipzig

Sesko po bëhet një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton e verës. Me RB Leipzig ai ka zhvilluar disa sezone të shkëlqyera. Për Salzburgun ka shënuar në sezonin 2022-23, 18 gola. Këtë rekord për pak e barazoi edhe me Leipzigun sezonin e kaluar.

Brian Brobbey (Holandë)

Mosha: 22 vjeç Roli: Sulmues Skuadra: Ajax

Brobbey ka shënuar 22 gola në të gjitha kompeticionet për Ajaksin, në një sezon shumë të vështirë për holandezët. Ai ka vetëm një ndeshje me kombëtaren, megjithatë në skenën ndërkombëtare është testuar me sukses pasi ka fituar Kampionatin Europian për moshat U17 të zhvilluara në vitin 2018 dhe 2019.

Florian Wirtz (Gjermani)

Mosha: 21 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Bayer Leverkusen

Këtë vit Wirtz ka shpërthyer. Nën drejtimin e Xabi Alsonsos ai mundi të fitojë kampionatin gjerman. Kupën e Botës në Katar mesfushori e humbi vetëm për shkak të një dëmtimi në gju. Ai ka qenë titullar në 7 nga 8 ndeshje që kur Julian Nagelsmann mori drejtimin e kombëtares gjermane.

Giorgi Mamardashvili (Gjeorgji)

Mosha: 23 vjeç Roli: Portier Skuadra: Valencia

Konsiderohet si një nga portierët më të mirë të futbollit europian. Mamardashvili ka 13 ndeshje me Gjeorgjinë dhe ka provuar që është zgjedhje e parë e ekipit. Po ashtu ka rezultuar blerje me mend për Valencian që e mori nga Dinamo Tbilisi për më pak se 1 milion Euro në 2022-shiu, ndërsa sot vlen 50 herë më shumë.

Johan Bakayoko (Belgjikë)

Mosha: 21 vjeç Roli: Sulmues i djathtë Skuadra: PSV Eindhoven

Ai lëvizi drejt PSV në moshën 16 vjeçare kur luante me Anderlehtin. Që atëherë ka shkëlqyer. Ka shënuar me PSV 16 gola dhe ka dhënë 14 asist. Vitin e kaluar kërkohej nga Brentford dhe Burnely, ndërsa sivjet pas tij janë Bayern, Arsenal dhe Liverpool. Do të jetë e vështirë që PSV t’u thotë jo ofertave të tyre.

Georgiy Sudakov (Ukrainë)

Mosha: 21 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Shakhtar Donetsk

Një lojtar krijues në mesfushë i cili konsiderohet si lojtari më i mirë ukrainas që luan ende në Ukrainën e ndarë nga lufta. Shakhtari refuzoi një ofertë nga Napoli në Janar, por Sudakov thotë se është koha që ta largojë familjen nga lufta. Me emrin e tij lidhen edhe skuadra të Londrës si Arsenal, Tottenham dhe Chelsea.

Jamal Musiala (Gjermani)

Mosha: 21 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Bayern Munich

Musiala është i riu tjetër pas Wirtz që të gjithë mezi presin ta shohin. Ai i sjell lojës shpejtësi, aftësi, krijimtari dhe entuziazëm. Musiala u rrit në Londër dhe deri në moshat U21 përfaqësoi Anglinë. Ky është turneu i tretë madhor ku merr pjesë për Gjermaninë.

Joao Neves (Portugali)

Mosha: 19 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Benfica

Ka luajtur pothuajse të gjitha minutat tek Benfica këtë sezon si dhe çdo ndeshje të Portugalisë në fushatën eliminatore. Shansin e mori kur Enzo Fernandez i Argjentinës u largua drejt Chelsea-t dhe që prej atëherë vlera i ka shkuar në 80 milionë Euro. Nëse bën një Europian të mirë mund të jenë të shumta klubet që mund të trokasin në derën e agjentit të tij, Jorge Mendes.

Strahinja Pavloviç (Serbi)

Mosha: 23 vjeç Roli: Mbrojtës Skuadra: Red Bull Salzburg

Pavloviç ka kaluar dy sezone në Red Bull Salzburg pasi e blenë nga Monaco. Ai pritet që të jetë titullar në mbrojtjen me tre që pritet të aktivizojë Serbia në ndeshjen kundër Anglisë.

Leopold Querfeld (Austri)

Mosha: 20 vjeç Roli: Mbrojtës Skuadra: Rapid Vienna

Pseudonimin e ka “muri austriak”. Querfeld është bërë pishtar ndriçues për mbrojtjen e Rapid Vienës sezonet e kaluar. Në Mars debutoi me kombëtaren. I gjatë dhe elegant e me flokë biondë, Querfeld ka për të marrë shumë vëmendje në Europian… jo vetëm për pamjen sigurisht.

Arda Guler (Turqi)

Mosha: 19 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Real Madrid

Europiani mund t’i japë shansin Arda Guler që të tregojë çfarë mund të bëjë. Pasi u transferua tek Real Madrid verën e kaluar menjëherë u dëmtua duke e bërë debutimin në Janar. Me 6 gola në 12 ndeshje ai duket se kërkon shumë vëmendje edhe tek Reali. Të shohim çdo të sjellë Europiani për të.

Xavi Simons (Holandë)

Mosha: 21 vjeç Roli: Sulmues Skuadra: PSG

Ai është një futbollist shumë i vështirë për t’u ndalur. Në Gjermani ishte një nga lojtarët ndaj të cilit bëheshin më shumë faulla. Pozicioni i tij më i mirë është pas sulmuesit dhe ka kualitetin që të bëjë diferencën në ndeshjet e vështira.

Zeno Debast (Belgjikë)

Mosha: 20 vjeç Roli: Mbrojtës Skuadra: Anderlecht/Sporting

Debast ishte pjesë e Belgjikës edhe në Kupën e Botës në vitin 2022. Megjithëse nuk luajti asnjë minutë ka marrë eksperiencë. Ai ka shkëlqyer me performancat e tij. Ai do të transferohet tek Sporting Lisbona.

Mario Mitaj (Shqipëri)

Mosha: 20 vjeç Roli: Mbrojtës i djathtë Skuadra: Lokomotiva e Moskës

Pas debutimit me AEK-un e Athinës ka zhvilluar dy sezone premtuese me Lokomotivën. Juventusi duket shumë i interesuar për Mitajn. Pritet që të jetë titullar në ndeshjen hapëse ndaj Italisë në Dortmund… vitrina perfekte për të treguar veten.

Vladyslav Vanat (Ukrainë)

Mosha: 22 vjeç Roli: Sulmues Skuadra: Dinamo Kiev

Është i bekuar me shpejtësi dhe kontrollin e topit nga Zoti. Vanat e ka bërë debutimin në Qershorin e shkuar kundër Gjermanisë. Duket se së shpejti do të largohet nga Ukraina. Mund të jetë surprizë pavarësisht se mund t’i nisë ndeshjet nga stoli.

Jeremie Frimpong (Holandë)

Mosha: 23 vjeç Roli: Sulmues i djathtë ose mbrojtës i djathtë Skuadra: Bayer Leverkusen

Ai ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me Bayer Leverkusen duke shënuar 14 gola dhe duke vendosur emrin e tij në ekipin e sezonit në Bundesliga për të dytin vit rresht.

Matej Jurasek (Çeki)

Mosha: 20 vjeç Roli: Sulmues krahu Skuadra: Slavia e Pragës

Jurasek është një i ri që luan ende në Pragë me Slavian. A është ai futbollisti i madh që presin të gjithë? Fillimisht duhet të marrë minuta për Çekinë në ndeshjet e Europianit dhe nuk do të mungojnë agjentët që do ta vëzhgojnë.

Morten Hjulmand (Danimarkë)

Mosha: 24 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Sportingu

Hjulmand ka qenë një lojtar kryesor në fitimin e titullit në Portugali. Gjatë këtij muaji mbush 25 vjeç.

Kenan Yildiz (Turqi)

Mosha: 19 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Juventus

Ai luan për Juventusin. Ka qenë titullar këtë sezon në Torino dhe një nga lojtarët më të vlerësuar.

Lazar Samardziç (Serbia)

Mosha: 22 vjeç Roli: Mesfushor Skuadra: Udinese

Produkt i Hertës së Berlinit dhe RB Leipzig. Ai lëvizi në Udinese tre vite më parë dhe verën e kaluar për pak sa nuk u transferua tek Interi. Këtë verë duket e sigurt një lëvizje e tij. Juventusi kryesor listën e kandidatëve, por nuk mungojnë as Borussia e Dortmundit dhe Brighton.

Adam Obert (Sllovaki)

Mosha: 21 vjeç Roli: Mbrojtës Skuadra: Cagliari

Luan me këmbën e majtë. Ka qenë kapiten i Sllovakisë U21 dhe duket se është gati të luajë me të mëdhenjtë. Miqësoret e Marsit ishte titullar.

Zan Vipotnik (Slloveni)

Mosha: 22 vjeç Roli: Sulmues Skuadra: Bordeaux

Një opsion me vlerë. Ai ka shënuar 10 gola për francezët megjithatë klubi ka pasur një performancë të varfër këtë sezon në Ligue 2.

Shkrim nga BBC

Përshtati në shqip për Tvklan.al, Gramoz Pisha