Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Faturat e energjisë elektrike janë “çmendur”. Kjo nuk dihet saktë për faturuesit që i vendosin këto në çdo familje. Abonentë të KESH-it ankohen për pagesa të kota, e për shtesë të pajustifikuar në faturat e tyre. Me të njëjtat pajisje elektro-shtëpiake, gjithnjë kanë paguar jo më shumë se 3 mijë lekë, ndërsa këto muaj ato janë dyfishuar, pavarësisht se çmimi i energjisë ende nuk ka ndryshuar.

Në filialin elektrik të Tiranës, një prej arkëtareve, e cila përballet çdo ditë me ankesat, e justifikon kështu.

“Kjo ndodh, sepse këta nuk kanë matësa nëpër sahatet e shtëpisë dhe u vjen afrove, që fillon nga 43 mijë lekë deri tek 100 mijë lekë. Këta mund të kenë të drejtë, sepse nuk janë ankuar këtu tek lexuesja, të bëhet një raport teknik dhe të rregullohen sahatet me defekt. Kur të rregullohen sahatet vazhdon prapë si më përpara, kështu që klienti duhet të ankohen në zonën përkatëse”.

Meqë justifikohen për mungesë sahatesh, duhet thënë, që shpesh mungon lexuesja, e nuk i sheh ata. Banorët mendojnë se faturuesit i vënë për mosplotësim të planit, të paktën në fundviti, por përgjigje të saktë askush nuk u jep. Rritja e çmimit të energjisë elektrike ende nuk është vendosur nga ERE./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti