Personi që shihni në foto është 33-vjeçari, Agron Bejdolli, i arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga personat që së bashku me Aleksandër Lahon morën peng në tetor të 2022, vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj.

33-vjeçari, i njohur ndryshe dhe si krahu i djathtë i “Rrumit të Shijakut” u arrestua nga uniformat blu në shtëpinë e një kushëriri të tij në zonën e Spitallës. Gjatë operacionit, Bejdolli mësohet se ka tentuar t’i ikë policisë, por pa rezultat, pasi është vënë në pranga.

Ngjarja për të cilën akuzohet 33-vjeçari, rreth 2 vite më parë, u regjistrua në autostradën Durrës-Tiranës dhe rezultoi se kishte si organizator Aleksandër Lahon, njohur ndryshe si “Rrumi”. Një nga vëllezërit, Indrit Beqiraj u mbajt peng për disa minuta dhe autorët e lëshuan pasi kishin ecur rreth 500 metra. Më pas të dy ata shkuan në policinë e Durrësit, ku me dëshminë e tyre sollën një sërë arrestimesh, duke rrëfyer disa plane ekzekutimesh.

Mes tyre eliminimin e Arben Mërkurit njohur ndryshe si Maneci, si dhe disa tentativa vrasjesh, ndër to dhe të Geron Hasanbelliut dhe nipërve të tij ngjarje që sipas vëllezërve Beqiraj ishin porositur nga Kasandër Noga.

Tv Klan