Komuna Golem dhe Synej ka qenë ndalesa e radhës për nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi.

Në takimet me banorë të zonës kreu i grupit parlamentar demokrat kërkoi besimin për një mandat të dytë qeverisës, pasi siç tha ai, vota për opozitën do ta kthente vendin në model të korrupsionit dhe monopoleve, fenomene këto që sipas tij  vazhdojnë të karakterizojnë socialistët dhe kryetarin e tyre Edi Rama.

Astrit Patozi: “Ne kemi përballë njeriun që e nisi me skandale dhe skandalin e fasadave kur ishte ministër i kulturës dhe po e përfundon me lejet e ndërtimit për Delijorgjin. Ne sigurisht që nuk mund t’ia lejojmë vetes që të rikthehemi në kohët e errëta të abuzimeve të tmerrshme të aferave korruptive, të lidhjes së politikës me krimin sepse Shqipëria është tashmë anëtar me të drejta të plota i Aleancës së Atlantikut Verior”.

Kriza e vetme në Shqipëri është në kampin e majtë dhe kjo krizë quhet Edi Rama, tha Patozi. Sipas tij komunat e Golemit dhe Synejit janë fytyra e vërtetë e ndryshimit të premtuar dhe realizuar nga qeverisja e djathtë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani