45 vite karrierë të koreografit, Gazmend Golemi u shpalosën në një aktivitet në Lezhë.

Trupa e baletit ‘Eagle Dance’ të mësuar nga vetë ai, sollën në skenë për publikun lezhian performanca me valle të ndryshme popullore.

Për vetë Golemin aktivitete të tilla kanë si synim përcjelljen e kulturës te më të vegjlit.

“Ne japim art dhe kulturë që të mësojmë traditën shqiptare dhe të mos ta humbim. Kryesorja është që 45 vjet unë kam mësuar vallën popullore folklorike tek këto fëmijë të mrekullueshëm të cilët me pasion përfaqësojnë edhe shtetin jashtë duke ruajtur vlerat historike, kulturore e koreografike.”

45 vite karrierë nuk janë pak, por megjithatë Golemi thotë se nuk do të reshtë për ta trashëguar vallen te brezat e rinj.

“Ne përherë krijojmë dhe mendojmë gjërat më të bukura për këto fëmijë të mrekullueshëm. Ky është misioni jonë, ne jemi mësues, por në rradhë të parë duhet t’i duam këto fëmijë që këto të na duan ne dhe artin e kulturën shqiptare.”

Gjatë aktivitetit koreografit Golemi iu akordua nga bashkia e Lezhës një certifikatë mirënjohjeje. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu vlerësoi punën e mjeshtrit të madh.

“E konsiderojmë një nga vlerat më të spikatura të artit dhe kulturës lezhiane dhe me gjerë. Është një brand për Lezhën dhe na përfaqëson kudo me një grup artistik duke lënë shenjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.”

Gazmend Golemi është ngjitur në skenë në moshën 6-vjeçare e që nga ajo kohë vallja është bërë pjesë e pandarë e jetës së tij.

Klan News