Sllovenia mbështet anëtarësimin sa më parë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Kjo u konfirmua edhe njëherë nga presidentja sllovene Natasa Pirc Musar, pas takimit që pati me kreun e shtetit, Bajram Begaj në Presidencë.

Natasa Pirc Musar: Sllovenia beson se vendi i Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Isha shumë e kënaqur me fjalët e Charles Michel në Bled vitin e kaluar, se Bashkimi Evropian do duhet të pranonte shtetet deri në 2030. Për Shqipërinë kjo nuk është e pamundur. Më gëzon lufta kundër korrupsionit, SPAK ka besimin tone.

Kreu i shtetit Bajram Begaj, teksa konfirmoi objektivin e Shqipërisë për tu bërë pjesë e BE-së brenda 2030 theksoi se nuk duhet që të ketë zhgënjim nga vendimet e Brukselit por duhet punuar fort për arritjen e këtij qëllimi.

Bajram Begaj: Shqipëria është e vlerësuar nga vendet e BE-së, por nuk mjafton se siç e patë u bllokuam për hapjen e Konferencës Ndërqeveritare. Mendoj se nuk duhet të zhgënjehemi nga vendime të tilla, por të punojmë më fort për të arritur objektivin tonë madhor që është i rëndësishëm dhe jetik për ne.

Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, presidentja sllovene iu adresua edhe Kuvendit të Shqipërisë me një fjalim.

Tv Klan